• e enjte, 09 janar 2025

Të paktën pesë viktima në zjarret rreth Los Anxhelosit

Të paktën pesë viktima në zjarret rreth Los Anxhelosit

Los Anxhelos, 9 janar 2025 (MIA) – Të paktën pesë persona humbën jetën në zjarret të cilat shpërthyen rreth Los Anxhelosit, njoftuan autoritetet pasi në këtë zonë u regjistruan tashmë gjashtë zjarre nga e marta e deri më tani. Të paktën 1.500 objekte janë shkatërruar në qytetin e dytë për nga madhësia në SHBA, duke detyruar mbi 100.000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. 

Erërat uragane edhe më shumë e vështirësuan situatën veçanërisht në zonën luksoze Pacifik Palisades – prona e paluajtshme më e dëshiruar në Kaliforni të cilën e favorizojnë personalitetet më të njohura të Holivudit. 

Zjarr i ri shpërtheu mbrëmë në Holivud Hills, vetëm disa qindra metra nga bulevardi i njohur Holivud, që shkaktoi urdhër për evakuim në kryeqytetin e zbavitjes botërore. 

Shefi i shërbimit zjarrfikës në zonën Los Anxhelos, Entoni Marone, tha se ekipet e tij janë të tmerruar nga vëllimi dhe shpejtësia e katastrofave të cilat po ndodhin. 

“Po bëjmë gjithçka që mundemi. Por, nuk kemi mjaftueshëm personel zjarrfikës në zonën LA që të përballet me këtë”.

Zjarri i cili shpërtheu në Pacifik Palisades rrëmbeu rreth 6.500 hektarë prej dje e deri më tani janë shkatërruar të paktën 1.000 shtëpi dhe objekte afariste. 

Një zjarr kaploi 4.300 hektarë është aktiv rreth Altadenës, në veri të qytetit, ku flakët e zjarrit janë në rrugët urbane. 

Sherifi i zonës Los Anxhelos, Robert Luna tha se dihet se kanë humbur jetën pesë persona, ndërsa ekziston frika se ka më shumë raste të vdekjes. 

Shefi i shërbimit zjarrfikës në Pasadenë, Çad Augustin, deklaroi se deri 500 ndërtesa janë humbur në zjarr. 

Prej mbrëmë vonë është aktiv zjarri në kanjonin Ranion në zemrën e Holivudit, në afërsi të vendeve historike siç janë teatri kinez Grauman, Shtegu i të famshëm dhe teatri El Kapitan.

Është vendosur urdhër për evakuim të një numri të madh të rrugëve, deri në bulevardin Holivud. 

Drejtori ekzekutiv në Departamentin për ujë dhe energji në Los Anxhelos, Xhenis Kinones, i luti njerëzit që të kursejnë ujë pasi hidrantët në Pacifik Palisades u thanë. 

Presidenti i porsazgjedhur Donald Tramp u prononcua në platformën e tij për mediat sociale duke thënë se – mungesa e ujit është rezultat i politikave ekologjike të shtetit. 

Në fakt, një pjesë e madhe e ujit në Los Anxhelos vjen nga lumi Kolorado.

Presidenti Bajden e ka anuluar vizitën në Itali këtë javë që të përqendrohet në përgjigjen federale ndaj zjarreve.

“Po bëjmë çmos aq kohë sa nevojitet që t’i kufizojmë këto zjarre”, u tha Bajdeni më parë gazetarëve. 

AccuWeather njoftoi se vlerësimet janë -57 miliardë dollarë dëme nga zjarret deri më tani. 

Më shumë se 300.000 amvisëri janë pa energji elektrike në këtë zonë, sipas ueb-faqes outage.us. Ndërmarrjet komunale në Kaliforni shpesh i ndalin linjat gjatë kohës së erërave të fuqishme që ta minimizojnë rrezikun nga zjarre të reja. 

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu i ndryshojnë modelet e motit. 

Kalifornia Jugore pati dy dekada thatësirë ​​të ndjekur nga dy vite jashtëzakonisht të lagështa, të cilat shkaktuan rritje të madhe të vegjetacionit. Erërat në zonë janë rreth 160 km/h dhe po e komplikojnë më tej situatën, raportojnë mediat amerikane, duke kujtuar se mungesa e shiut dhe temperaturat jashtëzakonisht të larta të ajrit, si dhe thatësira në gjashtë muajt e fundit - është "diçka që nuk e kemi parë në të dhënat që nga viti 1800".fc/

QËNDRONI TË LIDHUR