• e hënë, 23 dhjetor 2024

Të mos zvogëlohen mjetet për investime kapitale, por të rriten dhe vitin e ardhshëm të jenë më të larta, kërkon biznesi nga Qeveria

Të mos zvogëlohen mjetet për investime kapitale, por të rriten dhe vitin e ardhshëm të jenë më të larta, kërkon biznesi nga Qeveria

Shkup, 29 korrik 2024 (MIA) - Mjetet për investime kapitale në Buxhet të mos zvogëlohen, por të rriten dhe vitin e ardhshëm të jenë më të larta, e porositi sot sektori i biznesit kryeministrin Hristian Mickoski. 

Në takimin në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) u fol edhe për huanë hungareze prej 250 milionë euro për kompanitë. 

Kryeministri Mickoski përsëriti se prioritet i parë dhe themelor i Qeverisë është që të sigurojë më shumë para në Buxhet, ndërsa kjo, tha, do të arrihet nëse odat, firmat dhe ekonomia në përgjithësi, janë më të suksesshme. Ai edhe një herë tha edhe se Qeveria mbetet partner i biznesit. 

"Kemi pasur takim të mirë që na la të kuptojmë se kryeministri si në opozitë ashtu edhe në pozitë po flet me ne. Ne përfshimë shumë tema të rëndësishme për ekonominë. Folëm për ndihmën prej 250 milionë eurosh për të cilën kompanitë do të kenë mundësi të aplikojnë. Një nga pikat e rëndësishme për kompanitë janë normat e interesit, të cilat janë të larta, nga 1 deri në 6 për qind dhe prandaj besoj se do të marrim pjesë dhe do të kemi qasje në këto fonde. Kemi diskutuar edhe për ribalancin për të cilin kemi qëndrim - të mos i zvogëlojmë fondet për investime kapitale, por t'i rritim dhe t'i bëjmë më të mëdha vitin e ardhshëm, sepse ekonomia ka fitim në atë pjesë. Pas një muaji të kësaj Qeverie, na vjen mirë që është fokusuar në ekonomi. Bashkëpunimi vazhdon", tha kryetari i OEMVP-së, Mendu Qyra.

Edhe Mickoski e vlerësoi si të frytshëm dhe kontruktiv takimin me Odën.

"Patëm një takim vërtet të rëndësishëm me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe mendoj se u njohëm me të gjitha sfidat me të cilat përballen kompanitë. Prioriteti ynë kryesor dhe interesi primar është që kompanitë maqedonase të rriten. Sepse ky është një interes – për shkak se sa më shpejt  të rriten, sa më  fortë të rriten, aq më shumë të ardhura do të kenë në vetë buxhetin, dhe sa më shumë të ardhura të kenë, aq më shumë do të ketë investime në arsim, në shëndetësi do të ketë paga më të larta, pensione më të larta, në bujqësi, në kulturë, në sport, në infrastrukturë etj. Si Qeveri, jemi të vendosur të punojmë shumë së bashku me ekonominë maqedonase, me kompanitë dhe t'i ndihmojmë ato të rriten më shpejt. Dhe në atë drejtim, sot kemi diskutuar për huanë që tashmë kemi marrë, prej gjysmë miliardë eurosh, gjegjësisht një kredi për të cilën kemi një marrëveshje së bashku me qeverinë hungareze, e cila tani duhet të nënshkruhet zyrtarisht, pastaj përmes një ligji  të zbatohet në kuadër të Parlamentit dhe si do të funksionojë e gjitha për të mbështetur ekonominë; kushtet janë 3.25% normë fikse interesi, 15 vjet, 3 vjet periudhë mospagimi, 12 vjet afat shlyerje. Atë që merr shteti, ia jep ekonomisë", tha kryeministri. 

Ai përsëriti edhe se do të bisedohet me bankat komerciale nëse si opsion aty do të plasohet huaja ose do të plasohet në mënyrë tjetër. 

"Por është e rëndësishme që ne nuk duam që kjo kredi të jetë ngarkuar me kushte shtesë sepse vlerësojmë që është e favorshme në treg është ndoshta dy herë më e favorshme se sa ato që mund të ofrojnë bankat e nivelit të dytë dhe vlerësojmë se në këtë mënyrë mund të ndihmojmë ekonominë. Pika e dytë është një temë që kemi diskutuar dhe në atë kontekst dua të them se janë të gjitha projektet infrastrukturore dhe cila është e ardhmja dhe cilat janë planet tona. Nga ana e Odës Ekonomike të  Maqedonisë Veri-Perëndimore po ashtu u potencua fakti rreth pagës minimale u bisedua për bujqësinë,  vlerësoj se diskutimi ishte jashtëzakonisht i frytshëm. Mesazhi im, mesazhi i Qeverisë është që duhet të punojmë së bashku dhe  si Qeveri jemi tërësisht në shërbim të biznesit. Biznesi është ai që duhet të inicojë, të propozojë së bashku në një dialog për t'i kapërcyer ato punë. Nuk e kemi atë praktikë nga qeveritë e mëparshme në sallën e ceremonive brenda Qeverisë që të mbledhim të gjitha Odat Ekonomike dhe të themi çfarë mendojmë atje për gjysmë ore dhe të ikim, prandaj shkojmë në Odat Ekonomike. Ne do të vazhdojmë të shkojmë, të flasim dhe të dëgjojmë ide dhe ta zgjidhim atë. Po e përsëris, prioriteti i parë dhe kryesor është sigurimi i më shumë parave në buxhet sepse siç është tani është i kufizuar. Si do ta bëjmë këtë? Nëse Odat ekonomike dhe kompanitë dhe ekonomia janë më të suksesshme. Sa më të suksesshme të jenë, aq më shumë fonde do të jenë në dispozicion për të gjitha fushat e tjera të cilat janë të nevojshme", theksoi Mickoski.

I pyetur për kërkesën e Odës që të ulen kontributet që të mund të rritet paga minimale, Mickoski tha se kjo ide ishte shqyrtuar edhe derisa VMRO-DPMNE ishte në opozitë.

"Edhe atëherë e diskutuam atë. Sot kemi paraqitur argumentet tona mbi të cilat bazohen shqetësimet tona. Këtu mbi të gjitha nënkuptojmë pjesën që lidhet me kontratat kolektive, inflacionin,... Por sigurisht në të ardhmen duhet të gjejmë mënyrë për të siguruar më shumë njerëz që do të jenë aktivë në tregun e punës, sepse sot shohim se si numri i të punësuarve është në rënie, ndërsa nga ana tjetër papunësia është në rënie. Kjo nuk do të thotë se nevoja për punëtorë në tregun e punës është plotësuar dhe këtu duhet të gjejmë një mënyrë tek ata qindra mijëra njerëz që janë ende të papunë, si t'i rikualifikojmë, të gjejmë një mënyrë për t'i motivuar dhe ofruar ato në tregun e punës dhe mendoj se në periudhën në vijim do të kemi sukses në atë drejtim", theksoi Mickoski. fc/

Foto/video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR