• e shtunë, 23 nëntor 2024

Stoltenbergu për Bi-Bi-Si-në: Aleanca e fuqive autoritare gjithnjë e më shumë po bashkëpunon kundër Perëndimit

Stoltenbergu për Bi-Bi-Si-në: Aleanca e fuqive autoritare gjithnjë e më shumë po bashkëpunon kundër Perëndimit

  Bruksel, 8 prill 2024 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenbergu, deklaroi se një "aleancë e fuqive autoritare", që sipas tij, janë Rusia, Irani, Kina dhe Koreja e Veriut, gjithnjë e më shumë po bashkëpunon kundër demokracive perëndimore.

Ai vlerësoi se bashkëpunimi i "aleancës" gjithnjë e më shumë po koordinohet, ndërsa si shembull e përmendi faktin se Rusia i ka dhënë teknologji Iranit dhe Koresë së Veriut në këmbim të municioneve dhe pajisjeve ushtarake. 

"Kina e mbështet ekonominë ushtarake ruse, duke furnizuar industrinë e saj të mbrojtjes me pjesë kyçe, ndërsa Moska nga ana e saj i hipotekon të ardhmen e saj Pekinit", deklaroi Stoltenbergu në një intervistë për Bi-Bi-Si-në. 

 Ai shtoi se NATO-ja duhet gjithnjë e më shumë të punojë me vendet partnere siç janë  Japonia dhe Koreja e Jugut për të kundërshtuar "aleancën e fuqive autoritare".

 Duke folur për situatën ushtarake në Ukrainë, ai shprehu shpresë se anëtaret e NATO-s do të bien dakord për një marrëveshje afatgjatë për financimin e Ukrainës deri në korrik, duke shtuar se mbështetja afatgjatë është me rëndësi vitale.

 "Madje edhe nëse besojmë dhe shpresojmë se lufta do të përfundojë në të ardhmen e afërt, duhet të mbështesim Ukrainën për shumë vite, aë ndërtojmë mbrojtjen e tyre për ta penguar agresionin e ardhshëm", tha Stoltenbergu.

Ai, gjithashtu, tregoi se Kievi do të duhet të bëjë lëshime të caktuara. 

"Në fund të ditës, Ukraina duhet të jetë ajo që do të vendosë se çfarë kompromisesh është e gatshme të bëjë, duhet t'i mundësojmë që të jenë në pozicion të arrijnë një rezultat të pranueshëm në tryezën negociuese", tha njeriu i parë i NATO-s. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR