Sot mbahet shorti i kombëtareve evropiane në futboll për kualifikimet për Botërorin 2026
- Kombëtaret evropiane në futboll sot do të mësojnë kundërshtarët e tyre kualifikues për Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, në shortin, i cili do të mbahet sot në ora 12:00 në Cyrih të Zvicrës.
- Post By Besnik Shuki
- 10:02, 13 dhjetor, 2024
Cyrih, 13 dhjetor 2024 (MIA) - Kombëtaret evropiane në futboll sot do të mësojnë kundërshtarët e tyre kualifikues për Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, në shortin, i cili do të mbahet sot në ora 12:00 në Cyrih të Zvicrës.
Ky Botëror do të ketë numër rekord të pjesëmarrësve - 48.
Do të tërhiqen 12 grupe - nga A deri L. Në gjashtë grupet e para do të ketë katër, ndërsa në të tjerat nga pesë ekipe. Gjithsej 16 kombëtare nga zona e UEFA-s drejtpërdrejtë kualifikohen pë Botërorin 2026. Ato janë fituesit në 12-të grupet, ndërsa katër vendet e tjera do të përcaktohen në mars të vitit 2026 në balotazhin e UEFA-s me 16 ekipe. Në të marrin pjesë 12 ekipet e dyta në fazën e grupeve dhe katër fituesit më lartë të radhitur në grupet në Ligën e Kombeve 2024/25, të cilat nuk janë kualifikuar drejtpërdrejtë për Botërorin si fitues të grupeve, as nuk kanë hyrë në balotazh si fitues të grupeve.
Rusia nuk do të marrë pjesë në shortin. Do të ketë edhe shumë kufizime dhe ekipe që nuk mund të luajnë mes veti për arsye politike. Ato janë Ukraina dhe Bjellorusia, Azerbajxhani dhe Armenia, Kosova dhe Serbia, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina dhe Spanja dhe Gjibraltari.
Ndarja sipas vazove:
Vazoja e parë: Spanja, Gjermania, Portugalia, Franca, Italia, Holanda, Danimarka, Kroacia, Anglia, Belgjika, Zvicra, Austria
Vazoja e dytë: Ukraina, Suedia, Turqia, Uellsi, Hungaria, Serbia, Polonia, Greqia, Rumania, Sllovakia, Republika Çeke, Norvegjia
Vazoja e Tretë: Skocia, Sllovenia, Republika e Irlandës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Finlanda, Islanda, Irlanda e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Izraeli
Vazoja e katërt: Bullgaria, Luksemburgu, Kosova, Bjellorusia, Armenia, Kazakistani, Azerbajxhani, Estonia, Qipro, Ishujt Faroe, Letonia, Lituania
Vazoja e Pestë: Moldavia, Malta, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtajni, San Marino. bsh/
Foto: Arkiv