• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Snopçe: Aleanca për Shqiptarët mbetet e vetmja parti kompakte dhe unike

Snopçe: Aleanca për Shqiptarët mbetet e vetmja parti kompakte dhe unike

Shkup, 27 korrik 2023 (MIA)- Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe ka thënë se nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE nuk mund të ndodhë nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, nëse ka mënyrë tjetër për fillimin e bisedimeve le të tregojnë nga VMRO-ja. 

"Edhe në komision (nga VMRO) thanë se nuk do të përkrahin ndryshimet nën diktatin bullgar, por nuk treguan se cila është alternativa. VMRO deri më tash në të gjitha argumentet që i përdor po imponon një qasje disjunktive. Ose rezistenca ndaj ndryshimeve kushtetuese do të mbrojë identitetin nacional, ose votimi i ndryshimeve kushtetuese do të rezikojë identitetin nacional. Pra, kjo është teza e tyre që këto dy gjëra nuk shkojnë bashkë", ka thënë Snopçe në intervistën për portalin Frontline.

Tek unë ende mbizotëron shpresa që ndryshimet kushtetuese do të votohen sepse nuk shoh alternativë tjetër për të ardhmen e shtetit. VMRO-DPMNE në radhët e saj ka shumë njerëz të mençur dhe mendoj që ato do të arrijnë ti bindin të tjerit që për momentin mendojnë ndryshe, është shprehur deputeti Snopçe. 

Në pyetjen nëse ka dallime në lidhje me partneritetin me BDI-në dhe a mund të pritet bashkëpunim zgjedhor me partinë e Ahmetit, ai thotë se hyrja e tyre në qeveri ka qenë me qëllim të nxitjes së procesit eurointegrues. Po qe se nuk hynim në qeveri, shton ai, atëherë viti 2023 në vend që të ishte viti i nisjes së negociatave, do të ishte vit zgjedhor dhe gjithçka do të ishte e bllokuar. 

"Këtë na sugjeronin edhe miqtë tanë ndërkombëtar. Ne kemi qenë kritikues të ashpër të qeverisë. Ne jemi të vetëdijshëm se ka afera koruptive, skandale, dhe të ngjashme, por përsëri vlerësuam se orientimi evropian është e rëndësisë primare. Pra, ne nuk kemi hyrë në qeveri për të patur partneritet me BDI-në, por ne kemi marrë disa përgjegjësi për të ardhmen e shtetit që të mos na përsëriten skenarë si ajo e Bukureshtit gjatë regjimit udhëhequr nga Gruevski", ka thënë Snopçe.

Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme ai thotë se nuk e kanë menduar si parti, por mendimi i tij është se duhet të dilet në zgjedhje vet si parti. 

"Nga përvoja e së kaluarës, si Aleancë për Shqiptarët, edhe pse kemi sakrifikuar duke dalë në koalicion me parti të tjera, por realisht nuk ka rezultuar si e dobishme. Prandaj, personalisht mendoj se është koha të dalim vet në zgjedhje. Por nënkuptohet, Aleanca për Shqiptarët e ka liderin e saj, ka organe partiake dhe forume partiake që do ta sjellin vendimin kur të vjen koha për të", ka deklaruar ai.

Se a mund të ndhodhë "zjarr" edhe në Aleancën për Shqiptarët, deputeti me vlerësim se ASH ka qenë partia e vetme kompakte dhe e unifikuar. 

"Kjo ka qenë ashtu edhe gjatë kohës kur ishim në opozitë edhe tash kur kemi marrë përgjegjësitë tona edhe në qeveri. Pa asnjë lloj problemi e bëmë tranzicionin në lidershipin e partisë. Z.Sela si ish lider i partisë vazhdon të jetë një ndër shtyllat krysore të partisë. Grupi parlamentar ka qenë dhe vazhdon të funksionojë në mënyrë kompakte si një trup i unifikuar. Por nënkuptohet se pyetja është legjitime për shkak se jemi të prirur të besojmë që asnjë parti nuk mund të jetë imune nga ndodhitë nëpër partitë tjera politike tek ne. Çka është ajo që po ndodh tek partitë tjera politike? Unë do të kisha thënë një orgji e vërtetë politike", thekson Snopçe.

Partinë tonë e akuzojnë se e kemi shpëtuar BDI-në, por arkivat historike e vërtetojnë të kundërtën. Lëvizja BESA pati mundësi ta çojë në opozitë BDI-në në vitin 2020, por atëherë doli me listë të përbashkët me LSDM-në dhe nuk u rreshtua me opozitën dhe vnedosi ta mbajë në pushtet BDI-në. Kur mblodhëm 61 nënshkrime për ta çuar përsëri BDI-në në opozitë, ishte deputeti Kastriot Rexhepi i cili shkoli mbi nënshkrimin e tij. Tani ky i njëjti po bashkohet me Izet Mexhitin për ta çuar BDI-në në opozitë. 

"E njëjta vlen edhe për Izet Mexhitin. Ai disa herë ka patur mundësinë që ta 'rrëzojë' Artan Grubin, por asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar atë mundësi. Kur në parlament opozita dhe pushteti ngelën me numër të njëjtë deputetësh, 60 me 60, ishte Alternativa që vendosi të hyjë në qeveri duke e thyer marrëveshjen koalicionuese me ne. Edhe kësaj radhe përsëri në favor të BDI-së. Pastaj deputeti Skender Rexhepi si deputet i Alternativës doli i pavarur. Lëvizja BESA e përjashton Kastriot Rexhepin nga partia. E dimë se si u ndanë BESA me Alternativën dhe se si ishte e pamundur për ti bashkuar për të dalur bashkë në zgjedhjet e vitit 2020. Ndërsa tani çka ndodh? BESA, Alternativa dhe grupi i Izet Maxhitit po bashkohen në një front opozitar dhe menjëherë kemi distancim nga sekretari gjeneral i lëvizjes BESA dhe vednimin e deputetit të tyre Bastri Bajrami se në të ardhmen do të veprojë si i pavarur. Një mish-mash i vërtetë", ka thënë Snopçe duke shtuar se "Fronti Evropian“ do të bëhet me secilin që sinqerisht angazhohet për instalimiin e vlerave evropiane në vend.

 

QËNDRONI TË LIDHUR