• e premte, 05 dhjetor 2025

Sllaveski: Banka Popullore mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit të kursit të këmbimit valutor

Sllaveski: Banka Popullore mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit të kursit të këmbimit valutor

Ohër, 26 shtator 2025 (MIA) - Pasiguria globale në rritje dhe ndikimet e saj ndaj ekonomive të vogla dhe shumë të hapura, siç është ajo e Maqedonisë, ishin në fokus të fjalimit të guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, para pjesëmarrësve në Konferencën e 24-të të Bursës së Maqedonisë së Veriut, e cila që nga sot po mbahet në Ohër. 

"Për momentin pasiguritë më të theksuara lidhen me politikat e reja tregtare të SHBA-së dhe masat reciproke të mundshme nga ekonomitë e mëdha botërore. Edhe pse ekspozimi i drejtëpërdrejtë ndaj tregut amerikan është i vogël, efektet indirekte përmes uljes së kërkesës në BE nuk janë të papërfillshme. Shqetësim shtesë paraqesin efektet e mundshme mbi inflacionin global përmes zinxhirëve të furnizimit dhe pritjet për inflacionin", tha ai. 

Siç theksoi, në periudhën pas pandemisë, hapja tregtare e ekonomisë sonë ka arritur mesatarish rreth 150 për qind të BPV-së, gjë që e rrit ndjeshmërinë ndaj ndryshimeve në mjedisin e jashtëm. 

"Banka Popullore mbetet e gatshme të përgjigjet ndaj sfidave të paparashikueshme të mundshme, duke u mbështetur në përvojën nga përballja me goditjet e jashtme në të kaluarën. Është me rëndësi thelbësore të ruhet pavarësia e bankës qendrore dhe besueshmëria e politikave të saj. Niveli i qëndrueshëm i rezervave valutore është një garanci për stabilitetin e kursit të këmbimit të monedhës kombëtare", theksoi guvernatori. 

Sllaveski theksoi se Banka Popullore do të vazhdojë të përmirësojë kapacitetet e saj për t'u përballur me sfidat dhe se, edhe pse të gjitha pasiguritë nuk mund të eleminohen, vendosja në kohë e pyetjeve të duhura është çelësi për të gjetur një drejtim më të qartë për të ardhmen. qa/ 

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR