• e hënë, 23 dhjetor 2024

Sindikata e NQP-së: Nëse nuk meret vendim për subvencionim të ndërmarrjes nga e hëna nuk do të ketë transport urban

Sindikata e NQP-së: Nëse nuk meret vendim për subvencionim të ndërmarrjes nga e hëna nuk do të ketë transport urban

Shkup, 18 janar 2024 (MIA) - Sindikatat e NQP-së sot paralajmëruan se nëse Këshilli i Qytetit të Shkupit nuk merr vendim për subvencionim të ndërmarrjes nga e hëna nuk do të ketë transport urban, përveç se ndoshta për fëmijët të cilët do të shkojnë në shkolla. 

Kryetari i një prej tri sindikatave në NQP, Miqo Stojanovski, theksoi se detyrimet ndaj shftytëzuesve të shërbimeve janë përmbushur, por se të punësuarit në NQP nuk kanë marrë pagë nga dhjetori. 

"E njëjta histori është morbide dhe e dhimbshme të përsëritet, por ne duhet të luftojmë për të drejtat tona nga marrëdhënia e punës. Të punësuarit në NQP Shkup detyrat e tyre punës i kryejnë në pajtim me planin e Qytetit të Shkupit, ato obligime ndaj shfrytëzuesve tanë të shërbimeve janë kryer, por obligimet ndaj punëtorëve të NQP-së me dashje apo pa dashje nuk janë përmbushur duke përfshirë edhe pagën e dhjetorit e cila duhet të ishte paguar brenda afatit ligjor deri më 15 janar, por qyteti dhe këshilli nuk e bënë këtë", sqaroi ai.

Kërkoi nga Këshilli i Qytetit të Shkupit që të takohen në ditët në vijim. 

"Kërkojmë që gjatë ditës së sotme, nesërme, të shtunën dhe të dielën, edhe pse është festa e madhe Uji i Bekuar, Këshilli i Qytetit të Shkupit të mund të mblidhet dhe të marrë vendim ashtu siç ka marrë vendimin për buxhetin që edhe të marrë vendim për subvencionimin e transportit publik të qytetit në vlerë prej 11 milionë euro për të gjithë vitin 2024, nëse kjo nuk ndodh nga e hëna nuk do të ketë transport publik. E vetmja gjë që mund të ndodhë në një marrëveshje është që ne të vendosim të përdorim ato linja me të cilat fëmijët shkojnë në shkollë. Kur flasim për buxhetin që Qyteti i Shkupit e cakton për subvencionet e NQP-së, mund të themi se nuk është miratuar, ndonëse bëhet fjalë për mjete që qyteti është dashur t'i sigurojë për vitin 2023, por ato mjete janë ripërdorur për investime të tjera kapitale në qytetin e Shkupit dhe të punësuarit janë pa paga që nga dhjetori", deklaroi Stojanovski.

Porositi që të ndërpritet varfërimi i ndërmarrjes dhe i borxheve të cilat janë grumbulluar çdo muaj. 

"Le të na lënë të qetë edhe nga Qyteti i Shkupit dhe Këshilli, le të na lënë që vetë të krijojmë të ardhurat tona, ne nuk kërkojmë subvencione, nuk kërkojmë ndihmë nga qyteti dhe shteti, por le ta menaxhojmë kompaninë tonë ashtu siç ka qenë para se të fillonte pluralizmi dhe demokracia në Maqedoni. Tani konsiderohemi si kompani që pranon kuadro partiake, ku vendosen njerëz jo adekuat në poste të caktuara, por duhet t'i mbrojmë edhe ata, ata janë kolegët tanë, na lini vetë të krijojmë politikën, sistemin tarifor të linjave, çmimin e biletave të transportit etj. dhe do të shihni se ne mund të mbijetojmë vetë", porositi ai.

Më parë, kryetarja e Qytetit të Shkupit duke u përgjigjur në pyetjen e MIA-s theksoi se pret përgjegjësi nga Këshilli i Qytetit të Shkupit. 

Ato vendime që ishin për funksionimin e rregullt në lidhje me buxhetin e Qytetit të Shkupit, me rregull i kemi dorëzuar në Këshill dhe te kryetari, madje thirra edhe mbledhje urgjente, të cilën ai vendosi me të drejtën e tij të diskrecionit, pikat të cilat ishin më të rëndësishme për ndërmarrjet e Qytetit të Shkupit, t'i heqë nga rendi i ditës. Siç mund të shihni kërkuam mbledhje të re të jashtëzakonshme, e njëjta ende nuk është thirrë deri më sot. Unë shpresoj se së pari përgjegjësi do të kenë me funksionin të cilin e kanë, nëse duan me vetëdije t'i shkatërrojnë ndërmarrjet, përgjegjësia është e tyre, ne nga ana jonë gjithçka që kemi mundur kemi bërë, tha kryetarja. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR