• e diel, 25 shkurt 2024

Sindikata e AOGJSH në protestë para Qeverisë: Në vend që të gjejë zgjidhje, qeveria po shpërfill kërkesat tona

Sindikata e AOGJSH në protestë para Qeverisë: Në vend që të gjejë zgjidhje, qeveria po shpërfill kërkesat tona

Shkup, 17 nëntor 2023 (MIA) - Sindikata e punonjësve nga administrata, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve (AOGJSH) përsëri e shprehën pakënaqësinë e tyre për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre për të punësuarit në shërbimet gjyqësore dhe ato të prokurorisë publike. Pas dy takimeve me Qeverinë dhe pezullimit disa ditor të grevës, ata sot me një protestë dy orëshe para Qeverisë kanë bërë të ditur se punonjësit do ta vazhdojnë grevën, pasi siç thonë ata, "në vend që të gjejë një zgjidhje, qeveria vazhdon të shpërfillë kërkesat e tyre".

Kryetari i Sindikatës së AOGJSH, Tërpe Deanoski tha se të punësuarit në Prokuroritë e Shkupit do të dalin në protesta para Qeverisë dhe Kuvendit çdo ditë, ndërsa në fund të javës, Deanoski tha se Sindikata e AOGJSH do të organizojë protesta para Kuvendit, ku do të thirren deputetët si dhe të punësuarit në gjykata, prokurori, administratën shtetërore dhe organet shtetërore.

Në ndërkohë, Deanoski tha se Qeveria e ka miratuar Buxhetin e vitit 2024, në të cilin mesa duket nuk parashikohet rritje rrogash për punonjësit e Prokurorisë dhe u bëri thirrje të gjitha sindikatave të marrin pjesë për të treguar pakënaqësinë e tyre me buxhetin e planifikuar për vitin e ardhshëm.

"Ministria e Financave krahas detyrimit të marrëveshjes kolektive, nuk na ka ftuar të marrim pjesë në përpilimin e buxhetit dhe me gjithë premtimin e ministrit të Financave se buxheti do të shqyrtohet në Këshillin ekonomiko-social, kjo nuk është bërë, por Qeveria në mënyrë të fshehtë e ka sjellë buxhetin. Nuk e di nëse përfaqësuesit e Qeverisë janë të vetëdijshëm se ata janë në funksion, pasi dikush ka votuar për ta. Nuk e di nëse e dinë se kanë obligim të negociojnë me sindikatat për kërkesat e punëtorëve, e jo të fshihen e të na injorojnë dhe të tregojnë arrogancë", tha kryetari i Sindikatës së AOGJSH-së. 

Deanoski shprehu besimin se deputetët do ta dëgjojnë zërin e tyre. Ai thotë se me amendamente që do t'i dorëzojnë në Kuvendin e RMV-së, do të mundohen të marrin atë që kërkojnë.

Punonjësit e gjykatës dhe prokurorisë publike që nga 27 shtatori janë në grevë, duke kërkuar pagesën e shtesave dhe rritje të pagave prej 78 për qind, shuma me të cilën u rritën pagat e të zgjedhurve dhe të emëruarve. qa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR