• e martë, 24 dhjetor 2024

Simpoziumi i shtatë ndërkombëtar i artit “Struga 2022”

Simpoziumi i shtatë ndërkombëtar i artit “Struga 2022”
Shkup, 26 qershor 2022 (MIA)- Nga 24 deri më 29 qershor në Strugë për herë të shtatë organizohet Simpoziumi ndërkombëtar i artit “Struga 2022” ku pjesëmarrës do të jenë rreth 30 artistë të njohur nga  14 shtete të botës. Ky aktivitet ndërkombëtar organizohet nga Shoqata për Art dhe Kulturë SILINDAR’T udhëhequr nga Burhan Ahmeti me mbështetje nga Gigabel Computers, San Deco Gostivar, Healthynous, Pevalit, Jaffa, Komuna e Strugës, Picart Studio si dhe donatorë të tjerë. Drejtoreshë e simpoziumit është artisja Teuta Hoxha Imeri me koordinatorët: Verim Zendeli, Akime Nasufi Rexhepi, Berat Zulbehari, Kristina Zaturovska, Vjosa Pollozhani kritikja e artit Prof. Dr. Jelldez Asani. Si mysafirë special janë ftuar Mixhait Pollozhani, Nebojsha Viliç si historianë arti dhe Osman Demiri fotograf dhe kineast. Konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme në fushën e artit pamor për qytetin e Strugës dhe vlerësohet si një kontribut me peshë për zhvillimin e turizmit përmes aktiviteteve kulturo-artistike me karakter ndërkombëtar. “Artistë të shumtë do ta vërshojnë Strugën, ku me penelatat e tyre do të kenë mundësi që inspirimin nga bukuritë e rralla të Strugës t’i hedhin në telajo duke krijuar vepra arti. Kaq shumë artistë, diku tridhjetë në numër, nga 14 shtete të botës edhe atë nga Turqia, Amerika, Koreja e Jugut, Anglia, Izraeli, Shqipëria, Austria, Ukraina, Gjermania, Danimarka, Belgjika, Rumania Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe  nga Maqedonia e Veriut, me forma të ndryshme të shprehjeve artistike do të krijojnë dhe do i shijojnë bukuritë natyrore të kësaj ane si dhe mikpritjen strugane”, thonë nga Këshilli organizativ. Artistët pjesëmarrës nga vende të huaja të këtij simpoziumi ndërkombëtar, janë: Artyom Kapusta – Israel, Naim Spahiu – Kosovë, Nemanja Vukçoviq – Serbi, Zuleyha Durkoc Arslan – Turqi, Emina Nimanbegu – Mali i Zi, Anna Houghton – Angli, Luke George – Angli, Costin Brateanu – Rumani, Besnik Xhemaili – Kosovë, Beatrix Chabeso Pirchner – Austri, Bilal Nikezi – Mali i Zi, Jakka Jang – Korea e Jugut, Edin Kaplani – Mali i Zi, Anna Zadros Hansen – Danimarkë, Zaim Elezi- Shqipëri, Dora Labora – SHBA, Admir Pervathi – Shqipëri, Zake Prelvukaj- Kosovë. Ndërsa artistë nga Maqedonia janë: Nora Halimi, Memet Selmani, Drenusha Palloshi, Genta Spahija Mirzo, Angela Gjoncheska, Elita Aliti, Erzana Islami, Ayvaz Ozbek si dhe organizatorët e simpoziumit. Deri më tani, thonë nga këshilli organizativ, Shoqata për Art dhe Kulturë “Silindart” ka organizuar shumë aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare në Gostivar, Tetovë, Strugë dhe Shkup, ndërsa ky simpozium arti do të jetë shumë më madhështor nga vitet e kaluara, pasi që organizatorët kanë planifikuar edhe tryezë të rrumbullakët me të gjithë artistët pjesëmarrës, ku do të diskutohet për gjendjen e artit figurativ në botë, përparësitë dhe mangësitë e simpoziumeve dhe kolonive të artit, si dhe do  të miratohen konkluzione dhe rekomandime konkrete. Ky simpozium ndërkombëtar i artit do të organizohet në një ambient të shkëlqyer me pamje të mrekullueshme nga liqeni i Ohrit, e cila pamje do të jetë një stimul dhe inspirim shtesë që piktorët që të japin maksimumin e tyre. Simpoziumi i 7-të Ndërkombëtar i Artit “Struga 2022” do të jetë edhe një mundësi e mirë për të gjithë qytetarët e Strugës me rrethinë, turistët dhe artdashësit tjerë nga vende tjera që të bëhen spektatorë në çfarëdo momenti të punës së krijimit të veprave të artit, të shikojnë se si artistët një telajo të bardhë e transformojnë në një vepër arti. Këto janë vetëm disa nga veçoritë e simpoziumit, pasi që artistët do të bashkëpunojnë edhe mes veti, me studentë të artit, artdashës tjerë dhe nxënës që do të vijnë si vizitorë, ku do tu krijohet mundësia e krahasimit të dijeve, qoftë në aspektin teknik e teorik si dhe eksperiencat e tyre. Do të krijohen njohje dhe miqësi të reja të cilat mund të kthehen në të ardhmen në bashkëpunime tjera serioze. Gjithashtu natën e fundit me datë 28 qershor 2021, në qiell të hapur përreth lumit Drin do të hapet edhe ekspozita e Simpoziumit të 7-të Ndërkombëtar të artit me qëllim që të vizitohet nga më shumë artdashës dhe turistë. Këshilli organizativ i këtij Simpoziumi ka paraparë një program të begatshëm kulturor dhe turistik për artistët pjesëmarrës në Strugë, me qëllim që artistët të mbeten të kënaqur dhe të vijnë e ta vizitojnë sërish Strugën, këtë perlë të Ballkanit.

QËNDRONI TË LIDHUR