• e enjte, 02 prill 2026

Dita Botërore e Teatrit: Publiku nuk vjen për të parë përsosmëri, por për të njohur sinqeritetin dhe të vërtetën e pastër

Dita Botërore e Teatrit: Publiku nuk vjen për të parë përsosmëri, por për të njohur sinqeritetin dhe të vërtetën e pastër

Shkup, 27 mars 2026 (MIA) - Teatri është një nevojë e natyrës njerëzore. Nuk ka rëndësi vendi, e rëndësishme është ideja dhe thelbi. Teatri nuk është film. Ai është tani dhe këtu, i gjallë dhe drejt përballë. Hap biseda të rëndësishme dhe ngre tema për të cilat duhet dhe vlen të flitet hapur, thuhet në mesazhin maqedonas me rastin e Ditës Botërore të Teatrit – 27 Mars, i cili për këtë shënim të këtij viti u përgatit nga teatri i pavarur "Shqiponja e artë", e themeluar në vitin 2020 në Shkup.

Siç thuhet, teatri është një magazinë e mbushur me krahë, po ashtu si në ëndrra, ndërsa publiku nuk vjen për të parë përsosmëri, por për të njohur sinqeritetin dhe të vërtetën e pastër.

"'Magazina' jonë njëherë ishte një shtëpi e vjetër, në një rrugë në Shkup, të gjithë ne besonim se ishte teatër, nuk kishim shumë kushte, por kishim motiv të fortë dhe dëshirë të madhe për një teatër të pavarur… Teatri duhet të krijohet nga një nevojë e vërtetë. Nga gëzimi. Nga shqetësimi. Nga paaftësia. Nga kureshtja. Nga dëshira për të kuptuar një botë që ndryshon vazhdimisht. Teatri është imitimi i jetës në një shoqëri ose mjedis, por edhe një rishikim i saj dhe duhet të përdoret përmes tij për të folur zëshëm për ndryshimet, sepse në jetën e zakonshme nuk ka akordues që të na lëshojë muzikë, nuk ka zbërthim të shpejtë për të zgjidhur gjërat, nuk ka skenograf që të vizatojë dhe t’i japë jetë botës që na nevojitet. Jeta e vërtetë është e vështirë, e bukur, e trishtueshme, e shkurtër ose e gjatë, teatri gjithmonë e ka analizuar, e ka shëruar dhe ka ofruar ngushëllim, ka treguar drejt dëshirës për ndryshim dhe ka sjellë provokim", shkruhet në mesazhin kombëtar.

Autori i mesazhit ndërkombëtar me rastin e Ditës Botërore të Teatrit këtë vit është aktori dhe krijuesi teatror amerikan Uiliem Defo, i cili sot është drejtor artistik i bienales teatrale në Venecia, në kuadër të kompleksit programor La Biennale di Venezia.

Në fjalimin e tij me rastin e Ditës Botërore të Teatrit, Defo kujton fillimet e tij të thjeshta në “The Wooster Group” – një trup teatral me seli në Nju Jork. Siç thotë ai, pavarësisht se sa njerëz janë të pranishëm, publiku si dëshmitar i jep teatrit kuptim dhe jetë, dhe thekson se "në planin shoqëror dhe politik, teatri nuk ka qenë kurrë kaq i rëndësishëm dhe jetik për kuptimin tonë të vetvetes dhe të botës".

Mesazhi botëror dhe mesazhet kombëtare me rastin e Ditës Botërore të Teatrit – 27 Mars sonte do të lexohet në të gjitha skenat teatrale në botë, para shfaqjeve të veprave. Dita Botërore e Teatrit u themelua nga Instituti Ndërkombëtar Teatror (INT) në vitin 1961 dhe që atëherë festohet më 27 mars me ngjarje të ndryshme teatrale dhe me leximin e mesazheve. Mesazhin e parë ndërkombëtar e shkroi shkrimtari, piktori dhe regjisori francez Zhan Kokto në vitin 1962. qa/

Foto: Qendra e Maqedonisë INT/Produksion / Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR