Siljanovska Davkova: Rruga evropiane e vendit tim është e shtruar me standarde të dyfishta
- Rruga evropiane e vendit tim është e shtruar me standarde të dyfishta, me kërkesa dhe kushte të reja që nuk u janë vendosur vendeve tjera, tha sot presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin e saj në panelin "Pakti për të ardhmen e Kombeve të Bashkuara: ndërtimi i një konsensusi të ri global", në kuadër të Forumit të 12-të Global në Baku.

Baku, 13 mars 2025 (MIA) - Rruga evropiane e vendit tim është e shtruar me standarde të dyfishta, me kërkesa dhe kushte të reja që nuk u janë vendosur vendeve tjera, tha sot presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin e saj në panelin "Pakti për të ardhmen e Kombeve të Bashkuara: ndërtimi i një konsensusi të ri global", në kuadër të Forumit të 12-të Global në Baku.
Porositi se nuk heqim dorë as nga qëllimi strategjik për anëtarësim në BE dhe as nga partneriteti strategjik me SHBA-në, sepse, siç tha, përkundër trazirave aktuale, besojmë në rëndësinë e transatlantizmit efektiv, bazuar në rregullat dhe parimet ndërkombëtare, njoftoi raportuesi i MIA-s nga Baku.
Por jemi gjithashtu të vetëdijshëm se gjithmonë, përpara se të shkelen kufijtë fizikë, shkelen parimet dhe vlerat. Standardet e dyfishta gjenerojnë precedentë që rriten në rregulla. Dhe kur bëhen kompromise me rregullat dhe parimet ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara komprometohen, Karta zhvlerësohet dhe rendi ndërkombëtar cenohet, theksoi Presidentja.
Ajo që Kombet e Bashkuara janë për botën, tha ajo, Bashkimi Evropian është për Evropën – një projekt shumëpalësh me një qëllim përfundimtar – paqe në kontinent. Këtë e arrin përmes politikës së zgjerimit me shtetet e reja anëtare që plotësojnë kriteret e Kopenhagës.
Sipas saj, janë humbur shumë mundësi për reformën e OKB-së, ndërsa instrumentet shumëpalëshe të vjetruara të Kombeve të Bashkuara nuk mund t'i përgjigjen më sfidave aktuale gjeopolitike, ekonomike, ekologjike, demografike dhe teknologjike.
"Rrallëherë kemi pasur nevojë për Kombet e Bashkuara aq sa kemi sot. E megjithatë, rrallëherë Kombet e Bashkuara kanë qenë aq të margjinalizuara politikisht sa sot", tha presidentja.
Sipas saj, mbijetesa e Paktit për të ardhmen do të varet nga fakti nëse shtetet do të mbajnë angazhimet e tyre dhe a do të braktisin standardet e dyfishta.
Kujtoi se Pakti për të ardhmen, së bashku me Paktin Global Digjital dhe Deklaratën për gjeneratat e ardhshme, ofruan një vizion të multilateralizmit që mund të përmbushë tre qëllimet kryesore të OKB-së në një mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë - paqe dhe sigurin, të drejtat e njeriut dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ajo sot foli edhe në hapjen e Forumit, ndërsa pati edhe një takim dypalësh me homologun e saj shqiptar Bajram Begaj. Presidentja Siljanovska Davkova në dy ditët e kaluara në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Azerbajxhan ka takuar presidentin Ilhan Aliev, kryeministrin Ali Asadov dhe kryetaren e Kuvendit Popullor Sabiha Gafarova. Siç informoi presidentja, deklarata për partneritet dhe bashkëpunim strategjik me Azerbajxhanin është pothuajse gati, e cila duhet të shndërrohet në një marrëveshje që do të forcojë bashkëpunimin në energjetikë dhe ekonomi. ls/
Foto: MIA