Siljanovska Davkova: Nuk është koha për përçarje dhe konfrontime, përgjegjësit nuk guxojnë t’i shmangen ligjit, drejtësisë dhe dënimit
- Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin e sotëm drejtuar opinionit pas tragjedisë në Koçan, tha se nuk është koha për ndarje dhe konfrontime dhe se askush që është përgjegjës nuk do t'i shpëtojë drejtësisë dhe dënimit.
- Post By Fami Bajrami
- 19:15, 16 mars, 2025

Shkup, 16 mars 2025 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin e sotëm drejtuar opinionit pas tragjedisë në Koçan, tha se nuk është koha për ndarje dhe konfrontime dhe se askush që është përgjegjës nuk do t'i shpëtojë drejtësisë dhe dënimit.
"Nuk është koha për ndarje dhe konfrontime, sidomos kur bëhet fjalë për të rinj, jeta e të cilëve u shua përnjëherë për shkak të arbitraritetit, improvizimit dhe manipulimit. Pa standarde dhe rregulla nuk guxon të funksionojë asnjë aktivitet. Askush përgjegjës këtë herë nuk duhet t'i shpëtojë ligjit, drejtësisë dhe dënimit", tha Siljanovska Davkova.
Të mos e përdhosim sakrificën e pafajshme të viktimave, të bashkojmë forcat rreth të mbijetuarve, tha Siljanovska Davkova, duke theksuar se nuk duhet të lejojmë që askush të rrezikojë jetën e njerëzve të pafajshëm.
"Të mos sakrifikojmë më kurrë standardet dhe sigurinë e njerëzve për përfitim dhe pasurim të individëve. Asgjë nuk është më e vlefshme se jeta njerëzore dhe veçanërisht rinore", theksoi presidentja.
Ajo tha se mëngjesin e sotëm ka vizituar pacientët e hospitalizuar dhe se atje është pritur nga familjarët e të lënduarve, me shpresë dhe besim te stafi mjekësor. Të gjithë jemi në shok, tha ajo duke shtuar se edhe ajo ka mbetur e shokuar.
"Si nënë, si njeri, si presidente. Ende nuk mund ta besoj se tragjedia e tmerrshme në Koçan është realitet. Nuk di me çfarë fjalësh të shpreh ngushëllimet e mia për prindërit dhe të afërmit e të ndjerëve. Dhimbja juaj e pamasë është gjithashtu e imja", tha ajo.
Siljanovska Davkova theksoi se shumë vende kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ndihmë.
"Të lënduarit më rëndë po transportohen në klinika të specializuara në Bullgari, Serbi, Greqi dhe Turqi për të marrë kujdesin dhe ndërhyrjen mjekësore të nivelit të lartë. Njerëz të mirë nga gjithë rajoni, Evropa dhe bota janë me ne. Ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë akt mirësie. Do t'u jemi përjetësisht mirënjohës", tha Siljanovska Davkova në fjalimin e saj para publikut.
Në zjarrin në diskotekën në Koçan mëngjesin e sotëm e humbën jetën 59 persona, ndërsa 155 mbetën të lënduar.
Foto: MIA