• e hënë, 23 dhjetor 2024

Siljanovska Davkova mori pjesë në shfaqjen e Operës dhe Baletit Kombëtar të Maqedonisë në Sofje

Siljanovska Davkova mori pjesë në shfaqjen e Operës dhe Baletit Kombëtar të Maqedonisë në Sofje

Shkup, 14 shtator 2024 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mbrëmë në Sofje mori pjesë në shfaqjen e Operës dhe Baletit Kombëtar të Maqedonisë, që në Operën dhe Baletin e Sofjes performoi opera "Nabuko" nga Zhuzepe Verdi.

Në shfaqjen e artistëve të Maqedonisë, me të cilën u hap sezoni operistik në Sofje, morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mutsunski dhe Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, të cilët janë pjesë e delegacionit të Maqedonisë, njoftoi kabineti i presidentes.

Siljanovska Davkova paraprakisht pati një takim me homologun e saj bullgar Rumen Radev, pas së cilës vlerësoi se me vullnet të mirë, respekt dhe mirëkuptim reciprok mund të gjendet zgjidhje për çështjet e hapura mes Shkupit dhe Sofjes. Kreu i shtetit bullgar, nga ana tjetër, pret që dëshira e shprehur për dialog dhe mirëkuptim nga Siljanovska Davkova të bëhet politikë konsistente e Qeverisë së Shkupit dhe pohon se Bullgaria ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me Maqedoninë e Veriut.

"Jam e bindur se biseda e zhvilluar në një atmosferë debatuese dhe të këndshme do të japë frytet e saj. Nuk mund të them se do të ndodhë nesër, por është e rëndësishme që të filloni. Edhe një herë u tregua se kur të uleni dhe të bisedoni të udhëhequr nga vullneti i mirë bona fide dhe jo nga mala fide, do të bëni një hap të madh drejt gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta të rëndësishme. Nuk jam rastësisht këtu, kam ardhur për të biseduar, dhe sigurisht tani pres që presidenti Radev të vijë në Shkup. Mendoj se nëse dëgjojmë njëri-tjetrin, nëse respektojmë njëri-tjetrin, nëse kemi vullnet për t'u kuptuar, atëherë zgjidhja është e arritshme", tha presidentja Siljanovska Davkova, pas takimit të parë me Radevin.

E pyetur se për çfarë janë marrë vesh me Radevin, ajo ka theksuar se janë bashkuar rreth integrimeve evropiane, kritereve të Kopenhagës, qasjes rajonale për zgjidhjen e problemeve. Për çështjen rreth përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë konkretisht nuk është diskutuar në takimin me Radevin, ndërsa në lidhje me qëndrimin e saj për ndryshimin e Kushtetutës, Siljanovska Davkova tha se vendimet për këto çështje i marrin deputetët në Parlament dhe nuk varen nga qëndrimet e individëve.

Radev përmes një komunikate theksoi se "Bullgaria pret që dëshira e shprehur për dialog dhe mirëkuptim nga presidentja Gordana Siljanovska të bëhet politikë konsistente e Qeverisë së Republikës së Maqedonia së Veriut". Radev theksoi se dialogu në nivelin më të lartë ndërmjet dy vendeve duhet të jetë aktiv dhe të stimulojë punën e qeverive, bizneseve, si dhe shkëmbimet bilaterale në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës.

"Bullgaria ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me RMV-në dhe pret që ajo jo vetëm të ndihmojë në afrimin dypalësh kulturor dhe bashkëpunimin ekonomik, por edhe të arrijë përmes saj zgjidhjen e çështjeve të hapura në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ato duhet të vendosen në bazë të Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit, protokolleve të nënshkruara në të dhe Konkluzioneve të Këshillit Evropian nga vera e vitit 2022, të miratuara unanimisht nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe me pëlqimin e RMV-së. Kjo është një mënyrë për të hapur procesin e negociatave për integrim të plotë evropian të RMV-së në interes të të rinjve në vend, dhe kjo do të jetë një shenjë pozitive për të gjithë rajonin", thuhet në deklaratën e zyrës së presidentit bullgar Rumen Radev. sa/

foto: Kabineti i presidentes

QËNDRONI TË LIDHUR