• e premte, 27 shtator 2024

Shtyhet seanca e parë për rastin Banjska, pritet mendimi i Gjykatës Supreme për gjykimin në mungesë

Shtyhet seanca e parë për rastin Banjska, pritet mendimi i Gjykatës Supreme për gjykimin në mungesë

 Prishtinë, 25 shtator 2024 (MIA) - Seanca e parë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër tre nga 45 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, një vit më parë, në të cilin u vra pjesëtari i policisë së Kosovës, është shtyrë për 9 tetor, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

 Gjyqtari i cili udhëheq rastin, Arben Hoti vendosi ta shtyjë gjykimin me kërkesë të avokatëve të të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Vlladimir Toliq dhe Bllagoje Spasojeviq, të cilët kërkuan më shumë kohë për të lexuar shkresat dhe provat e Prokurorisë.

 Mbrojtja e të akuzuarve, avokatët Lubomir Pantoviq, Jovana Filipoviq dhe Millosh Daleviq kërkuan që seanca të ndërpritet me arsyetimin se dosjet e lëndës i kanë marrë në mënyrë elektronike dhe me vonesë, ndërsa materialet nuk iu janë dorëzuar vetë të akuzuarve në gjuhën serbe.

 Fillimisht, gjykata konstatoi se ekzistojnë kushte për fillimin e seancës për tre të akuzuarit të cilët ndodhen në paraburgim që nga 25 shtatori i vitit të kaluar, një ditë pas sulmit në Banjskë. Për gjykimin në mungesë të 42 të akuzuarve të tjerë do të kërkohet mendimi i nga Gjykatës Supreme.

 Më herët, prokurori Naim Abazi, propozoi që 42 të akuzuarit e mbetur, përfshirë kreun e grupit, ish nënkryetarin e partisë së serbeve në Kosovë, Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të gjykohen në mungesë. 

 Për këtë ka kundërshtuar avokati i të akuzuarit Spasojeviq, i cili tha se gjykimi në mungesë të 42 personave është i pamundur edhe për këtë nuk ka supozime sipas nenit 303 të Ligjit për procedurë penale.

 Kryetari i Këshitllit Gjyqësor, Hoti tha se do të kërkojë nga Gjykata Supreme interpretim për nenin e përmendur.

 Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të ngritur më 11 shtator të këtij viti, të akuzuarit ngarkohen se “me ushtrimin e dhunës me armë të rënda kanë tentuar ta shkëputin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe të njejtën ta bashkojnë në Republikën e Serbisë, ndërsa si rezultat i dhunës së ushtruar ka vdekur polici Afrim Bunjaku, si dhe është kërcënuar jeta e policëve të tjerë dhe popullatës civile”.

 Dyzet e pesë të akuzuarit të nacionalitetit serb ngarkohen për veprat penale si “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Pastrim të parave”.

 Përveç policit kosovar, Bunjaku, në shkëmbimin e zjarrit që pasoi mes policisë dhe grupit serb më 24 shtator të vitit të kaluar, mbetën të vrarë tre nga sulmuesit, ndërsa të tjerët u larguan në Serbi. qa/

QËNDRONI TË LIDHUR