Shqipëria mbyll TikTok-un për një vit
- Qeveria shqiptare dje vendosi të mbyllë TikTok-un për 12 muaj për shkak të “përmbajtjeve që publikon që nxit dhunë dhe bullizëm, veçanërisht te fëmijët”.
- Post By Lindita Sulejmani
- 09:19, 7 mars, 2025

Tiranë, 7 mars 2025 (MIA) - Qeveria shqiptare dje vendosi të mbyllë TikTok-un për 12 muaj për shkak të “përmbajtjeve që publikon që nxit dhunë dhe bullizëm, veçanërisht te fëmijët”.
Ministrja e Arsimit Ogerta Manastriliu tha se zyrtarët janë në kontakt me TikTok-un për instalimin e filtrave të kontrollit prindëror, si dhe verifikimin e moshës dhe përfshirjen e gjuhës shqipe në aplikacion.
"Autoritetet mbajtën 1300 takime me rreth 65000 prindër të cilët "rekomanduan dhe mbështetën mbylljen ose kufizimin e platformës TikTok", tha ministrja.
Qeveria shqiptare nisi procedurën vitin e kaluar kur një adoleshent goditi me thikë për vdekje një adoleshent tjetër në nëntor pas një debati që filloi në TikTok.
Kur kryeministri shqiptar Edi Rama tha në dhjetor se synonin mbylljen e rrjetit social, TikTok kërkoi sqarime urgjente nga qeveria shqiptare në lidhje me rastin e vdekjes me thikë të një adoleshenti nga bashkëmoshatari i tij.
Rama dje deklaroi se janë në dialog pozitiv me kompaninë dhe se përfaqësuesit e TikTok-ut së shpejti do të vizitojnë vendin për të ofruar “një sërë masash për të rritur sigurinë e fëmijëve”.
Kompania më parë kumtoi se nuk ka "gjetur asnjë provë që autori ose viktima kishte llogari në TikTok" dhe vuri në dukje se raportet e shumta në fakt kishin konfirmuar se videot që çuan në incident ishin postuar në një platformë tjetër ndryshe nga TikTok.
Fëmijët përfaqësojnë grupin më të madh të përdoruesve të TikTok-ut në Shqipëri.
Shqetësimi ka filluar të rritet në mesin e prindërve pas raportimeve për fëmijë të frymëzuar nga përmbajtjet e rrjetece sociale që sjellin thika në shkollë ose rasteve të bullizmit të nxitura nga historitë që ata shohin në këtë platformë.
Opozita nuk u pajtua me mbylljen e TikTok-ut dhe planifikoi protesta për të në 15 mars. Opozita e konsideron ndalimin si "një akt mosdurimi, frike dhe terrori kundër lirisë së mendimit dhe të shprehjes". ls/