Po përhapet gripi i shpendëve në Shqipëri, janë shkatërruar 68 mijë pula
- – Gripi i shpendëve H5N1 e zgjeroi hartën e infektimeve në Shqipëri dhe një nga fermat më të mëdha të shpendëve në vend e ka sëmundjen në katër objekte.
- Post By Fitore Curri
- 12:16, 8 mars, 2025

Tiranë, 8 mars 2025 (MIA) – Gripi i shpendëve H5N1 e zgjeroi hartën e infektimeve në Shqipëri dhe një nga fermat më të mëdha të shpendëve në vend e ka sëmundjen në katër objekte.
Deri më tani janë shkatërruar 68.000 pula, ndërsa janë bllokuar 415.000 vezë.
Shefja e kabinetit të Ministrisë së Bujqësisë, Ermira Gjeçi tha se vezët në treg janë të sigurta, sepse inspektorët e Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit e kanë tërhequr të gjithë sasinë e vezëve nga kjo fermë.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, në treg nuk ka pula të infektuara dhe mish. Me qëllim që të parandalohet infektimi i fermave të tjera të shpendëve të cilat gjenden në zonën Rashbull në Durrës, këto biznese duhet të respektojnë masat e rrepta për biosiguri.
“Produktet janë të sigurta, sepse pula nuk mund të japë vezë kur është e goditur nga ky grip. Në ndërkohë, nuk lejohen lëvizje në objekt që të parandalohet infektimi”, shtoi Gjeçi.
Sipas mediave gripi i shpendëve H5N1 është i pranishëm në 21 vende evropiane, për çka Shqipëria e ndaloi importin e vezëve nga këto vende. Në SHBA ky infektim u solli dëme të mëdha fermave të shpendëve, që kushtëzoi edhe çmimin më të lartë të vezës, e cila shitet për 1,4 dollarë. fc/