• e martë, 26 nëntor 2024

Sholc, presidentit kinez: Invazioni rus kundër Ukrainës kërcënon sigurinë globale

Sholc, presidentit kinez: Invazioni rus kundër Ukrainës kërcënon sigurinë globale

Pekin, 16 prill 2024 (MIA) - Kancelari gjerman Olaf Sholc sot në Pekin i tha liderit kinez Si Xhinping se invazioni rus ndaj Ukrainës kërcënon sigurinë globale.

Sholc, gjithashtu, presidentit kinez i tha se në këtë luftë nuk duhet të kërcënohet me armë bërthamore, transmetojnë mediat gjermane.

Presidenti rus Vlladimir Putin muajin e kaluar ka paralajmëruar se Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore nëse sovraniteti ose pavarësia e saj kërcënohet.

Sholc, gjithashtu i tha presidentit kinez se "interesat jetike" të Gjermanisë ishin prekur nga lufta kundër Ukrainës dhe se Moska po shkelte parimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve kombëtarë.

Edhe pse pretendon se nuk po dërgon ndihmë ushtarake në Moskë, Kina nuk e ka kritikuar invazionin rus të Ukrainës dhe mban lidhje të ngushta ekonomike me Rusinë.

Agjencia kineze e lajmeve Ksinhua sot publikoi se Si në takimin me Sholc deklaroi se Kina inkurajon dhe mbështet të gjitha përpjekjet që dërgojnë në një zgjidhje paqësore të krizës dhe mbështet thirrjen në kohë të një konference ndërkombëtare të paqes me pjesëmarrje të barabartë të të gjitha palëve dhe diskutime të gjithë opsioneve të paqes.

"Kina është e gatshme që ta vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha palët relevante, duke përfshirë dhe Gjermaninë, në këtë drejtim", tha Si. rq/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR