• e diel, 03 nëntor 2024

Shatunas për MIA-n: Përkundër rëndësisë së çështjeve dypalëshe, ato duhet të qëndrojnë larg proceseve të reformave, përndryshe do të vuajnë reformat

Shatunas për MIA-n: Përkundër rëndësisë së çështjeve dypalëshe, ato duhet të qëndrojnë larg proceseve të reformave, përndryshe do të vuajnë reformat

Shkup, 12 tetor 2024 (MIA) - Zëvendësministri i Lituanisë Simonas Shatunas beson se veçimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian mund të shihet gjithashtu si argument i mirë se si të bëhet më shumë. Në një intervistë për MIA-n, ai tha se ky nuk është një rast unik, se shteti i tij është veçuar gjithashtu nga Estonia dhe Polonia, të cilat kishin filluar më herët negociatat me ta, pas çka ata bënë më shumë përpjekje për t'i mbërritur dhe ia dolën ta bënin këtë.

Megjithëse ai thekson se kriteret e Kopenhagës duhet të jenë kyçe në procesin e anëtarësimit në BE, për fat të keq janë të pranishme edhe çështje dypalëshe, të cilat, siç u theksua, nuk duhet të lënë procesin nën hije. Shatunasi thekson se përkundër rëndësisë së çështjeve dypalëshe, ato duhet të qëndrojnë larg proceseve të reformave, sepse, nëse nuk është kështu, atëherë reformat do të vuajnë për shkak të çështjeve të tjera

"Lituania merr vendime bazuar në meritë dhe ne besojmë se procesi i aderimit në BE është proces i bazuar në meritë dhe kur vendet zbatojnë reformat ata duhet të lëvizin sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo është arsyeja pse, në baza dypalëshe, ne kemi shumë të ashtuquajtura projekte teknike, respektivisht projekte binjakëzimi, përmes të cilave institucionet tona ndihmojnë institucionet tuaja në fusha të ndryshme në zbatimin e reformave. Sa i përket veçimit, nuk mendoj se ky është një rast unik në procesin e aderimit. Kështu ndodhi edhe në rastin tonë, Lituania filloi negociatat me një grup të madh, por edhe ne ishim të veçuar. Estonia dhe Polonia i filluan negociatat më herët se ne dhe na u desh të bënim shumë përpjekje për t'i arritur, gjë që ia dolëm mbanë. Ne i mbyllëm negociatat në të njëjtën kohë dhe një grup i madh vendesh kandidate u bashkuan me BE në vitin e njëjtë. Do të thosha se veçimi mund të jetë një argument i mirë se si të bëjmë më shumë, sepse në rastin tonë kemi bërë më shumë dhe veçimi ishte një nxitje për të zbatuar reformat më shpejt dhe më profesionalisht", shprehet Shatunas në intervistën për MIA-n.

Sa i përket mbrojtjes së procesit të integrimit evropian nga bilateralizimi, veçanërisht në aspektin e çështjeve që lidhen me historinë dhe identitetin, ai vëren se bilateralizimi është një realitet në procesin e aderimit edhe nga më parë. Lituania gjithashtu kishte çështje dypalëshe me Poloninë dhe Letoninë, me të parën për pakicat, me të dytën për kufirin detar, por ata ranë dakord të përqendrohen në çështjet strategjike dhe ranë dakord që çështjet dypalëshe duhet të lihen mënjanë.

"Pra, ne nuk jemi mbështetës të bilateralizimit të çështjeve të ndryshme në procesin e aderimit. Ne besojmë se pavarësisht rëndësisë së tyre, ata duhet të qëndrojnë larg proceseve të reformës, sepse nëse nuk është ashtu, atëherë reformat do të pësojnë për shkak të çështjeve të tjera. Ne konsiderojmë se kjo nuk është praktikë e mirë dhe në rastin tonë kemi gjetur mënyra për t'u marrë vesh me fqinjët tanë", thekson Shatunas.

Lidhur me atë se sa vendet anëtare të BE-së kanë vesh për idenë e ndryshimeve të prolonguara kushtetuese në vendin tonë, e cila do të hynte në fuqi pasi Bullgaria të ratifikojë marrëveshjen e anëtarësimit, për të shmangur vetot e mëtejshme në lidhje me çështjet e identitetit dhe cili është qëndrimi i Lituanisë, Shatunasi nuk jep përgjigje konkrete, por vëren se ata besojnë se çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë procesin, por se është e rëndësishme të përmbushen detyrimet që janë marrë përsipër.

"Siç e thashë më parë, ne besojmë se çështjet dypalëshe nuk duhet të errësojnë ose pengojnë procesin e bisedimeve dhe aderimit. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që kur lidhen marrëveshjet dhe kur merren detyrime, të mos ketë zvarritje dhe rihapje, domethënë të zbatohen detyrimet, përndryshe mund të lindë një realitet i ri dhe vonesa të përsëritura. Prandaj, ne besojmë se duhet të ketë sa më pak çështje dypalëshe, por nëse merren përsipër detyrime atëherë është më mirë të vazhdohet me zbatimin dhe të ecet përpara procesi, sepse kjo është e gjithë ideja – të hiqen çështjet dypalëshe nga procesi i bisedimeve", shprehet Shatunasi.

Lidhur me paralajmërimet e fundit të ministrit polak të Mbrojtjes Vlladisllav Kosinjak Kamish se Varshava do të bllokojë aderimin e Ukrainës në BE, derisa Kievi të zgjidhë çështjen e zhvarrimit të viktimave të masakrave në zonën e qytetit veriperëndimor ukrainas Vollinj, të kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai thotë se është i vetëdijshëm se është e vështirë të lihen mënjanë tema të mëdha dhe të vështira historike.

"Por megjithatë ne inkurajojmë vendet që të marrin rrugën e dialogut dypalësh, siç kemi bërë me çështjet historike, dhe pastaj të vazhdojmë të lëvizim procesin e aderimit dhe të kapim momentin, sepse tani është momenti kur Ukraina, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor kanë vëmendjen e Bashkimit Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian Fon der Llajen dhe shumë shtete anëtare e vendosin procesin e zgjerimit në krye të prioriteteve. Ne e konsiderojmë këtë dritare mundësie si një mundësi historike, ashtu siç ishte për ne 20 vjet më parë dhe jemi anëtarë të Bashkimit tashmë dy dekada. Kështu, çështjet e vështira duhet të zgjidhen përmes dialogut dypalësh, domethënë, një dialog i tillë duhet të inkurajohet, por nga ana tjetër, reformat e nevojshme në procesin e zgjerimit gjithashtu duhet të ecin përpara", shprehet Shatunasi.

Në intervistë, ai foli edhe për hapjen e Zyrës së Ambasadës së Lituanisë në Shkup, e cila është misioni i parë diplomatik i Lituanisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Thekson se ata duan të forcojnë praninë e tyre në Ballkanin Perëndimor, pasi shohin se Maqedonia e Veriut në veçanti po zbaton reforma që çojnë në hapjen e bisedimeve të aderimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në rrugën drejt BE-së për Vilniusin, çështjet më të vështira për të cilat u thyen heshtat në diskursin publik ishin mbyllja e termocentralit bërthamor, të ndërtuar gjatë Bashkimit Sovjetik, i cili prodhonte 70-90 përqind të energjisë elektrike të Lituanisë, por gjithashtu furnizonte Letoninë, Kaliningradin dhe Bjellorusinë, heqjen e dënimit me vdekje dhe ndryshimet në kufizimet për të huajt që blinin tokë bujqësore në shtet.

Për luftën kundër korrupsionit, thekson se është vendimtare në të gjithë procesin e aderimit, dhe vazhdon si shtet anëtar, duke theksuar se suksesi i saj varet kryesisht nga vullneti dhe vendosmëria politike.

Ai i vlerëson marrëdhëniet dypalëshe si të shkëlqyera, vitin e ardhshëm të dy vendet festojnë 30 vjet nga vendosja e tyre dhe beson se ato mund të forcohen veçanërisht në sferën e ekonomisë, sepse tregtia ekziston, por vëllimi i saj është i vogël.

Në intervistë, flet edhe për emërimin e lituanezit Andrius Kubilius për Komisioner të parë të BE-së për Mbrojtjen. Shprehet se ky post është krijuar me qëllim të forcimit të aftësive të industrisë së mbrojtjes së Bashkimit Evropian. Konsideron se nuk do të ketë paralelizëm me NATO-n, por një sinergji me atë që BE mund të bëjë për sigurinë e përgjithshme të kontinentit evropian dhe çfarë mund të bëjë për të ndihmuar armatat evropiane të furnizohen më mirë me teknologji moderne dhe konkurruese.

Më poshtë është video intervista e plotë me zëvendësministrin e Jashtëm të Lituanisë, Simonas Shatunas:

Ana Cvetkovska

foto: Frosina Naskoviq

Video dhe montazhi: Asllan Vishko dhe Vlladimir Rabasoviq

QËNDRONI TË LIDHUR