• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Shaqiri: Brenda dhjetë ditësh MASH do të dalë me qëndrim nëse do të zhvendoset fillimi i vitit shkollor

Shaqiri: Brenda dhjetë ditësh MASH do të dalë me qëndrim nëse do të zhvendoset fillimi i vitit shkollor

Shkup, 6 korrik 2023 (MIA) – Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri ka paralajmëruar se brenda dhjetë ditësh MASH-i do të dalë me qëndrim nëse do të ketë ndryshime lidhur me fillimin e vitit shkollor nga termini standard i 1 shtatorit. Ai paralajmëroi se javën e ardhshme para Komisionit për resurse njerëzore do t’i prezantojë tre propozimet për fillimin dhe përfundimin e vitit shkollor.

"Do të përfshihen Unionet e nxënësve të shkollave të mesme por edhe sindikatat që mendimet të dëgjohen nga anëtarët e Komisionit. Mendoj se në afat prej dhjetë ditësh do të kemi qëndrim përfundimtar se cili nga propozimet do të pranohet", deklaroi Shaqiri duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve para fillimit të Forumit për riorganizimin e rrjetit shkollor.

Propozimi i parë deri te MASH-i është që viti shkollor të fillojë siç ka qenë deri tani - më 1 shtator, i dyti të fillojë më 11 shtator pa pushim pranveror dhe të zgjasë deri në mes të qershorit, ndërsa propozimi i tretë është që të fillojë më 1 shtator dhe të ketë pushim pranveror prej pesë ditësh dhe viti shkollor të përfundojë në mes të qershorit.

Lidhur me reagimet në opinion dhe në mesin e mësimdhënësve se në plan programin e ri për lëndën e gjuhës maqedonase për klasën e gjashtë është lënë jashtë tema e historisë së gjuhës maqedonase, respektivisht se ajo do të mësohet në klasat e larta, Shaqiri është përgjigjur se në kabinetin e tij nuk ka arrit ndonjë reagim.

“Por nga ky moment sapo të ketë problem, unë do t’i ftoj. Por në takimin e njëjtë do të duhet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues nga Byroja për Zhvillim të Arsimit, si institucion që ka propozuar programin për atë lëndë”, ka thënë ministri Shaqiri.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR