• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shaqiri: Bëj thirje që sa më shpejtë të miratohen ligjet e reja, ato ekzistuese nuk përputhen me nevojat reale

Shaqiri: Bëj thirje që sa më shpejtë të miratohen ligjet e reja, ato ekzistuese nuk përputhen me nevojat reale

Shkup, 17 janar 2024 (MIA) - Në interes të avancimit të sistemit arsimor në shtet dhe në interes të qytetarëve, bëj thirrje që sa më shpejtë të miratohen këto zgjidhje ligjore. Nuk pres politizim të procesit sepse partitë politike ishin thirrë, njohtuar dhe përfshirë në krijimin e përmbajtjeve të tyre dhe nuk duhet të ekzistojnë dilema nëse ato janë të nevojshme - u bëri thirrje ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri deputetëve që shpejtë t'i miratojnë ligjet e reja për arsimin e mesëm dhe profesional dhe trajnime të cilët pasi ishin miratuar dje në mbledhje të Qeverisë janë dërguar në Kuvend. 

Në konferencë për media ministri i këtij dikasteri theksoi se me miratimin e këtyre zgjidhjeve ligjore do të ngritet cilësia e procesit edukativ - arsimor duke pasur parasysh atë që ligjet ekzistuese janë nga viti 1995 gjegjësisht nga viti 2007, dhe siç tha, nuk përputhen me nevojat reale. 

"Ligji i ri i arsimit të mesëm do të mundësojë zhvillim të kompetencave dhe aftësive kyçe te të rinjtë, me fokus të veçantë në ato digjitale, të nevojshme për arsimin e mëtutjeshëm dhe punësimit me sukses. Për herë të parë vendoset edhe këshillim për karrierë, këshilltar për karrierë dhe koordinator për arsim praktik. Veçanërisht është me rëndësi që mundësohet edhe organizim i nxënësve dhe pjesëmarrje në vendimmarrje që deri më tani u mungonte nxënësve", tha Shaqiri. 

Me Ligjin e ri për arsim dhe trajnim profesional, theksoi, ai, rregullohet koncepti i arsimit dual për përmirësim dhe zgjerim të të cilit, tha, angazhohemi shumë vite. 

"Ligji e rit vëllimin e arsimit praktik në shkollat e mesme profesionale, gjegjësisht fokusi është më shumë drejt arritjes së aftësive praktike dhe të zbatueshme përmes mësimit direkt në vendin e punës në kompanitë në favor të uljes së mësimit teorik", shtoi Shaqiri dhe theksoi se ka trend të rritjes të nxënësve të regjistruar në arsimin profesional dhe përkundër 11 paraleleve duale para katër viteve, sot ka 592 me gati 7.000 nxënës. 

Reforma e arsimit dhe trajnimit profesional është e lidhur ngushtë me ndryshimet e tregut të punës dhe nevojës për model të arsimit dhe trajnimit profesional të drejtuar në krijimin e resurseve njerëzore për nevojat e tregut të punës, përmes punësimit ose vetëpunësimit. 

Risi është vendosja e maturës profesionale dhe provimit pranues akademik. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit të mesëm, siç është paraparë, nxënësit japin provimin e maturës shtetërore ose maturës shkollore. Pas përfundimit të vitit të fundit në Programin Ndërkombëtar për Arsimin e Mesëm (programi IB), studentët japin maturën ndërkombëtare dhe/ose maturën shtetërore. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit profesional katërvjeçar, nxënësit i nënshtrohen provimit të maturës profesionale. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit profesional me kohëzgjatje dy ose trevjeçare, nxënësit i nënshtrohen provimit përfundimtar. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit të mesëm artistik, nxënësit i nënshtrohen provimit të maturës së artit.

Konceptin për provime në fund të arsimit të mesëm e përgatiti Qenda Shtetërore e Provimeve, ndërsa me propozim të Bordit Shtetëror të Maturës - Akademisë, e përcakton ministri. 

Nxënësit që dëshirojnë të vazhdojnë shkollimin në institucionet e arsimit të lartë dhe që plotësojnë të paktën një nga kushtet: janë regjistruar në vitin e katërt të arsimit të mesëm profesional ose të mesëm artistik, i nënshtrohen provimit akademik pranues për t'u regjistruar në arsimin e lartë; të kenë përfunduar arsimin e mesëm profesional katërvjeçar dhe të kenë dhënë provimin e maturës profesionale; të kenë përfunduar arsimin e mesëm artistik dhe të kenë dhënë provimin e maturës së artit ose të kenë vendim për njohjen e një diplome për arsimin e mesëm të kryer jashtë vendit e cila është e barabartë me arsimin e mesëm profesional katërvjeçar ose arsimin e mesëm artistik në vend. fc/

Fotografia: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR