• e hënë, 23 dhjetor 2024

Sejdini: Kemi përgatitur plan për vendosje të sistemit VAR

Sejdini: Kemi përgatitur plan për vendosje të sistemit VAR

Shkup, 27 dhjetor 2023 (MIA) - Këshilli drejtues i Federatës së futbollit të Maqedonisë ka marrë vendim për fillimin e procesit për vendosje dhe zbatim të teknologjisë VAR (video asist i gjyqtarit) për ndeshjet në Ligën e Maqedonisë në futboll, në bazë të rregullave dhe procedurave të FIFA-s.

Kryetari i FFM-së, Muhamed Sejdini pret që me vendosjen e sistemit VAR të minimizohen gabimet e gjyqtarëve në ndeshjet e Ligës së parë.

"Duam ta pastrojmë futbollin nga gabimet që ndodhin për shkak të faktorit njeri. Ato gabimet kryesore nuk do të ndodhin më, por duhet durim dhe kohë, sepse gjyqtarët duhet të edukohen dhe të dinë të aplikojnë teknologjinë VAR. Jam i sigurt se sëmundjet fëmijërore nuk do të shmangen as në Maqedoni, e dimë se disa situata edhe me ndihmën e VAR-it nuk do t'i kënaqin të gjithë, sepse sa herë përfshihet një person, është përshtypje subjektive. Është me rëndësi që federata të ketë përgatitur një plan, mënyrën e financimit, furnizimin e pajisjeve të nevojshme teknike, gatishmërinë për edukimin e instruktorëve dhe gjyqtarëve të VAR-it, si dhe të gjitha aspektet operative të projektit. Objektivisht duhen të paktën gjashtë muaj që të vendoset sistemi, por ne do të mundohemi ta shkurtojmë sa më shumë atë periudhë", deklaroi Sejdini për ueb faqen e FFM-së.

Në takimin e djeshëm në "Shtëpinë e futbollit", njerëzit e parë të FFM-së ofruan mbështetje të plotë për nismën e klubeve për formimin e Shoqatës së ekipeve të Ligës së parë. fc/

Fotografia: FFM

QËNDRONI TË LIDHUR