• e shtunë, 23 nëntor 2024

Seanca e parë e Qeverisë, do të shqyrtohet informata për pensione më të larta

Seanca e parë e Qeverisë, do të shqyrtohet informata për pensione më të larta

Shkup, 28 qershor 2024 (MIA) - Qeveria sot në seancën e parë do të shqyrtojë informatën për pensionet më të larta. Është një projekt i premtuar nga qeveria e re para zgjedhjeve, me të cilin mbi 300 mijë pensionistë duhet të marrin pensione më të larta nga shtatori.

Ndërtimi i projektit për rritjen e pensioneve është finalizuar në takimin e djeshëm të kryeministrit Hristijan Mickoski me ministren e Financave Gordana Dimitrievska Koçovska dhe ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani.

Mickoski në Fejsbuk publikoi se bëhet fjalë për realizimin e premtimit zgjedhor ndaj pensionistëve.

"Fjala e dhënë është shenjtëri, detyrim dhe përgjegjësi. Shteti duhet të kujdeset për të moshuarit. Në bashkëpunim me ministren e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, jemi të përkushtuar që të gjejmë një zgjidhje urgjente që do të sjellë pensione më të larta për mbi 300 mijë pensionistë. Kjo zgjidhje jashtëzakonisht e rëndësishme, të cilën e premtuam gjatë zgjedhjeve, do të diskutohet në seancën e Qeverisë dhe me këtë tregojmë përkushtimin tonë për të dhënë rezultate dhe për të punuar me përkushtim për të gjithë, ka shkruar Mickoski në FB.

Ai njoftoi të mërkurën se do të ketë dy rritje lineare të pensioneve, me nivelim në shtator dhe një tjetër në mars. Rritja e pensioneve do të përfshihet në ribalancimin e Buxhetit, i cili është paralajmëruar për mesin e korrikut.

"Nga sa mund të shoh, edhe me buxhetin fillestar që është miratuar për këtë vit mungojnë rreth 2,5 miliardë denarë. Me shumë gjasa  do të kemi dy rritje lineare, njëra me nivelim tani në shtator prej 2500 denarë dhe tjetra në mars 2500 denarë të tjera. Së parë duhet të sigurojmë me ribalancin 2,5 miliardë denarë, rreth 40 milionë euro. Në buxhetin e kaluar për këtë vit mungojnë mjetet për pensionet aktuale. Janë shpenzuar për gjëra me të cilat mendoj se do të merren shumë organet hetimore në periudhën e ardhshme. Për këtë rritje fillestare, që do të jetë në shtator, për këta tre muaj shtator, tetor, nëntor, janë përgatitur edhe 2,5 miliardë denarë shtesë, sepse atëherë do të paguhen pensionet. Pjesa tjetër do të jetë në mars, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit të një shkolle të re në vendbanimin e Shkupit, Draçevë.

Me këtë, theksoi Mickoski, praktikisht premtimi për rritje lineare të pensioneve prej 5.000 denarë në vitin e parë do të realizohet edhe më herët, jo deri në qershor, por deri në mars të vitit të ardhshëm.

Me korrigjimin që duhet të bëhet në muajin shtator, pensionistët do të kenë rritjen e parë lineare prej 2.500 denarë, ndërsa rritja e radhës lineare, po ashtu prej 2.500 denarë do të jetë në muajin mars vitin e ardhshëm, theksoi mbrëmë ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska.

"Pensionisti i cili me rritjen e muajit shtator ka pension prej 15.000 denarë, do të ketë pension prej 17.500 denarë, ndërsa me rritjen në mars të vitit të ardhshëm 20.000 denarë. Pension të tillë do të marrë çdo muaj dhe përshtatja e parë normale e pensioneve me koston e jetesës do të bëhet në shtator të vitit 2025", tha Dimitrieska Koçoska në intervistën për TV Sitel. 

Ajo ka theksuar se me ribalancin e Buxhetit do të duhet të sigurohen rreth 80 milionë euro që të mund të paguajnë pensionet e rritura. Prej tyre, siç tha ajo, rreth 40 milionë euro janë për rritje lineare, ndërsa 40 milionë euro të mbetura nuk i ka paraparë ish qeveria në Buxhetin e këtij viti për pagesën e parregullt të pensioneve. Në fokusin e ribalancit, siç tha ajo, do të jenë komunat, pensionet, paratë për paga, ndërsa çdo gjë tjetër do të shkurtohet.

Në seancën, siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeveri, do të diskutohhet edhe për emërimin e personelit drejtues në disa institucione shtetërore. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s dhe Qeveria

 

QËNDRONI TË LIDHUR