• e hënë, 23 dhjetor 2024

Seancë plenare për ndryshimet kushtetuese, pushteti dhe opozita me qëndrime të pandryshuara

Seancë plenare për ndryshimet kushtetuese, pushteti dhe opozita me qëndrime të pandryshuara

Shkup, 18 gusht 2023 (MIA) - Sot në Kuvend duhet të fillojë seanca e 123-të plenare, ku e vetmja pikë e rendit të ditës është Propozimi për inkuadrim në ndryshimin e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Seanca është caktuar për në orën 11:00.

Sipas Rregullores së Kuvendit, debati zgjat maksimum dhjetë ditë pune dhe nëse është ashtu, duhet të përfundojë më 31 gusht. Gjatë debatit, një deputet mund të flasë disa herë për gjithsej 20 minuta, dhe koordinatori i një grupi parlamentar gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i propozuesit në debat mund të flasë disa herë, por jo më shumë se 30 minuta në total. Vendimin për inkuadrim në ndryshimin e Kushtetutës e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me 80 vota.

Pushteti dhe opozita mbeten në qëndrimet e tyre. Për LSDM-në ndryshimet kushtetuese janë imperativ për qytetarët dhe zgjedhje mes "Maqedonisë evropiane" apo izolim të shtetit, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare qëndron në qëndrimin e saj që të mos i mbështesë ndryshimet e Kushtetutës në këtë format, siç thonë ata, diktat bullgar dhe kerkojne zgjedhje te parakohshme.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje tha se shumica e dy të tretave është e nevojshme për vazhdimin e integrimeve evropiane të vendit, e jo për mbijetesën e Qeverisë. Zgjedhjet, sipas kryeministrit, nuk janë zgjidhje në këtë moment.

"Duhen 80 deputetë për të votuar Maqedoninë evropiane. Qeverisë i nevojiten 61 deputetë që të mund të marrë vendime të plota dhe të punojë deri në zgjedhjen e qeverisë së ardhshme. Shumica prej dy të tretash në Kuvend për këto ndryshime kushtetuese është imperativ për çdo qytetar të vendit", tha Kovaçevski pas vizitës në kompaninë "Data Masters".

Sipas Kovaçevskit, debati në Kuvend është një mundësi e mirë për qytetarët që të sigurohen se është proces për realizimin e qëllimit të dytë strategjik të shtetit, që është integrimi evropian.

Sa më shpejt ta bëjmë atë proces, thotë Kovaçevski, aq më shpejt do të bëhemi anëtarë të BE-së. Ai përsëriti se për herë të parë vetoja nuk vjen nga jashtë, por mund të vijë nga brenda.

Sipas tij, të gjithë 120 deputetët duhet të tregojnë sjellje burrështetasi dhe të jenë në lartësinë e detyrës për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët.

"Para nesh janë vendime të guximshme dhe të vështira, të gjithë 120 deputetët duhet të tregojnë sjellje prej burrështetasi, të jenë në nivel të detyrës dhe të marrin vendim, me të cilin do të mundësohet ardhmëri më e mirë, për gjeneratat e ardhshme, për neve, për fëmijët tanë", ka shkruar Kovaçevski në profilin e tij në "Fejsbuk" pas takimit me ambasadoren amerikane Anxhela Ageler.

Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, theksoi se nëse vërtet duam ta arrijmë qëllimin – anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030, tani është koha ta tregojmë në veprim. Sipas Mariçiqit, tani nuk është koha për populizëm. Bllokada nga opozita e shtetit, thotë ai, i sjellin shtetit izolim, pasiguri dhe hapësirë ​​të hapur për ndikime të palëve të treta.

"Ikja nga marrja e vendimeve shtetërore dhe mospjesëmarrja në procesin  më të rëndësishëm kombëtar vetëm sa e komplikon dhe ngadalëson progresin e shtetit dhe na distancon nga perspektiva evropiane. Nëse opozita nuk bëhet proaktive dhe nuk mbështet ndryshimet kushtetuese, rezultati është i qartë, ne ndalemi këtu dhe ngecim sërish në korridorin e BE-së. Dhe kjo nuk është e mirë për askënd dhe ky nuk duhet të jetë qëllimi i askujt, për asnjë arsye, më pak për ato politike", theksoi Mariçiq.

Vendi, siç thekson ai, tani është në një fazë ku anëtarësimi në BE është i arritshëm dhe deri në fund të dekadës, një mundësi që nuk mund të humbasë.

"Tani synimi i të gjithëve duhet të jetë qëndrimi në rrugën evropiane dhe përfshirja e Maqedonisë së Veriut në paketën e re të zgjerimit, e cila do të përfshijë Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë dhe vendet e Ballkanit Peërndimor. Prandaj ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin deri në fund të nëntorit,  për të qëndruar në proces dhe për të siguruar vazhdimësi të negociatave me BE-në. Sa më gjatë të jemi jashtë procesit, aq më keq do të jetë për ekonominë, për klimën e përgjithshme në vend dhe aq më shumë të rinj do të largohen nga vendi. Kjo do të dobësojë edhe më tej besimin në institucione dhe do të jetë kërcënim për stabilitetin dhe prosperitetin e shtetit, dhe jam i sigurt se askush nuk e dëshiron këtë dhe prandaj besoj se do të arrijmë t'i përfundojmë  obligimet e përbashkëta të cilat i kemi në rrugën drejt anëtarësimit në BE", thotë Mariçiq. 

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u ka dërguar një letër të hapur deputetëve në të cilën ka thënë se nga vendimi i tyre do të varet nëse vendi do t'i vazhdojë negociatat me BE-në apo do t'i ndalë për një periudhë më të gjatë pa asnjë garanci për sukses.

"Të premten Ju do të vendosni për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, përcaktim ky për të cilin jemi duke punuar dhe kanë punuar të gjitha Qeveritë në 30 vitet e fundit. Nga Ju varet nëse me pranimin e ndryshimit të Kushtetutës do t'i vazhdojmë bisedimet për kapitujt e anëtarësimit në Union apo do të ngecim në negociata për një afat më të gjatë, deri në një mundësi të re, pa asnjë garanci suksesi, duke nxitur procesin e “pasaportizimit” të qytetarëve që kërkojnë një të ardhme evropiane për veten e tyre", thotë ministri Osmani.

Ai siguron se çështjet e identitetit dhe ato historike nuk janë pjesë e negociatave.

"Me shumë përgjegjësi pohoj se çështjet historike dhe identitare nuk janë pjesë e udhërrëfyesve dhe dispozitave nga të cilat varet hapja dhe mbyllja e kapitujve. Me këtë ndryshim të Kushtetutës, ne vetëm do ta përforcojmë pozitën tonë ndërkombëtare dhe do ta rrisim mbështetjen ndërkombëtare për qëllimet tona. Përmes negociatave do të përmirësohen dhe forcohen dukshëm mundësitë për të vazhduar promovimin dhe avancimin e veçantisë, historisë dhe kulturës nacionale maqedonase" thekson Osmani.

Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare përsëritën se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Ata njoftuan se do të marrin pjesë në seancën plenare, ndërsa para mbajtjes së saj, siç tha dje kryetari i partisë Hirstian Mickoski, do të kenë një koordinim.

"Tashmë gjatë miratimit të rendit të ditës, shumica, pra Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, do të shohin se nuk ka një shumicë prej dy të tretash për ta shtyrë këtë proces. Pres që të mos ketë gjimnastikë politike shtesë dhe e vetmja temë legjitime do të jetë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare", tha Mickoski.

Sipas Mickoskit, edhe nëse bullgarët janë pjesë e preambullës dhe ne marrim garanci për identitetin, megjithatë, Protokolli dhe Marrëveshja Bilaterale janë rrezik për pengesa shtesë në të ardhmen, përkatësisht veto shtesë, identitet shtesë dhe intervencionim historik.

Kryetarët e Alternativës, Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, dje në një konferencë të përbashkët për media, kërkuan që urgjentisht të votohet nevoja e ndryshimit të Kushtetutës dhe bashkë me të të vendosen edhe ndryshimet për, siç thanë ata, ndryshimi i 20 për qindëshit për gjuhën shqipe, si dhe ndryshimi kundër parashkrimit për rastet e korrupsionit politik.

Nëse në afat të shkurtër nuk sigurohet shumica e nevojshme për votimin e fazës së parë të ndryshimeve kushtetuese, sipas kreut të Alternativës, Afrim Gashi, do të jetë e qartë se kjo përbërje parlamentare nuk ka kapacitete për të zhbllokuar negociatat për Integrimi në BE dhe do të bëjnë thirrje të votohet për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në një intervistë për MIA-n në fillim të këtij muaji, tha se pas kontrollit, votimi për nevojën e ndryshimeve kushtetuese mund të shtyhet dhe nëse nuk ka kushte, mund të mos zhvillohet aspak.

"Seanca e datës 18 gusht do të hapet dhe rendi i ditës do të miratohet siç është procedura, prandaj kërkohet prania e 61 deputetëve dhe për votim të paktën një e treta e numrit të përgjithshëm. Është parim i përgjithshëm dhe sigurisht hapet diskutim, debat, thirret sipas procedurës të hapet debat. Çfarë do të jetë, si do të jetë, nuk mund ta them tani sepse nuk mund të parashikoj. Por është detyrimi im që të kem planifikuar dhjetë ditë pune që Kuvendi të mund të punojë nëse është regjistruar për të folur për kaq shumë, kështu që maksimumi që debati të zgjasë është dhjetë ditë. Debati përfundon në ditën e dhjetë, pavarësisht nëse ka mbetur apo jo folës", sqaroi Xhaferi.

Ai tha gjithashtu se nëse nuk ka një shumicë prej dy të tretash, votimi mund të shtyhet, por edhe të mos ndodhë, duke përfunduar kështu procedura për ndryshime kushtetuese.

Më 25 korrik u mbajt seanca e Komisionit Parlamentar për Çështjet Kushtetuese, në të cilën u votuan dy konkluzione, përkatësisht inkuadrimi në ndryshimin e Kushtetutës dhe përgatitja e projekt-amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës, nëse pranohet nevoja për ndryshimin e saj në seancën e 18 gushtit. Të dyja konkluzionet u miratuan me dhjetë vota "pro" dhe shtatë vota "kundër". sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR