• e martë, 24 dhjetor 2024

Rritje e tregtisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore në BE

Rritje e tregtisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore në BE

Bruksel, 25 gusht 2023 (MIA) - Pas rënies së regjistruar në prill të këtij viti, në muajin maj tregtia e produkteve bujqësore dhe ushqimore në BE shënoi rritje si në sektorin e importit ashtu edhe në atë të eksportit, sipas raportit të fundit mujor për tregtinë e produkteve bujqësore dhe ushqimore në BE të publikuar sot nga Komisioni Evropian.

Siç lajmëroi raportuesi special i MIA-s nga Brukseli, rritja më e madhe e eksportit në krahasim me importin, i ka mundësuar BE-së që në maj të këtij viti të realizojë suficit në tregtinë bujqësore ushqimore prej 5,2 miliardë euro.

Në muajin maj eksporti i këtij lloji të produkteve të BE-së ka shënuar rritje prej 8 për qind, duke arritur 19,4 miliardë euro, aq sa ishte edhe në muajin e njejtë të vitit të kaluar. Nga janari deri në maj të vitit 2023 eksporti i produkteve bujqësore dhe ushqimore nga Unioni ka arritur në 95,7 miliardë euro, që paraqet rritje prej mbi 8 për qind në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

Rritja më e madhe e eksportit është shënuar te frutat, perimet, ëmbëlsirat, çokollatat dhe drithërat e përpunuar. Megjithatë, siç citohet në kumtesë, këto rritje të të ardhurave nga eksporti mund t'i atribuohen kryesisht çmimeve më të larta të eksportit.

Tre vendet kryesore për eksportin e produkteve bujqësore-ushqimore nga BE-ja në periudhën nga janari deri në maj të këtij viti ishin Britania e Madhe, SHBA-ja dhe Kina.

Nga ana tjetër, importi i produkteve bujqësore dhe ushqimore në Union në muajin maj arriti 14,3 miliardë euro, që paraqet rritje mujore prej 10 për qind. Nga fillimi i vitit importi i këtyre produkteve në BE sërish ka shënuar rritje prej tre për qind në krahasim me periudhën e njejtë në vitin 2022.

BE-ja në periudhën janar-maj të vitit 2023 importoi kryesisht drithëra, sheqer, duhan dhe vajra bimore. Tre vendet kryesore nga të cilat BE-ja  importoi në pesë muajt e parë  të vitit janë Brazili, Britania e Madhe dhe Ukraina. sa/

Foto: Komisioni Evropian

QËNDRONI TË LIDHUR