• e mërkurë, 12 mars 2025

Rreth 160 pacientë në vend janë në pritje të transplantit të veshkës

Rreth 160 pacientë në vend janë në pritje të transplantit të veshkës

Shkup, 12 mars 2025 (MIA) - Rreth 160 pacientë në vend janë në pritje të transplantit të veshkës. Aktualisht, 1657 pacientë janë në dializë në 23 qendra të dializës, të shtruar në 17 qytete. Pacienti më i ri në dializë ka qenë vetëm katër vjeç dhe, për fat, tani i është bërë transplanti. Pacienti më i ri që shkon në qendrën e dializës është 13 vjeç.

Ata kërkojnë që Shoqata e Sëmundjeve të Veshkave “Nefron” të krijojë një strategji globale për të adresuar sëmundjen e veshkave, me theks në parandalimin dhe shqyrtimin e hershëm për zbulimin në kohë të sëmundjes. Nevojitet një sistem ku personat me sëmundje të veshkave të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre pa u endur nëpër labirintet shëndetësore dhe sociale, me mbështetje psikosociale për pacientin dhe familjen, sepse është një sëmundje që prek familjen e gjerë, thonë nga “Nefron”.

Për shkak të rinovimeve në repartin e Urologjisë, këtë vit nuk është kryer asnjë transplant

Këtë vit nuk janë kryer transplante, për shkak të renovimeve në Klinikën e Urologjisë. Drejtori i Klinikës Universitare të Urologjisë në Shkup, Bashkim Shabani, sqaron për MIA-n se aktualisht kanë katër dhoma spitalore, ku intervenohen vetëm për rastet emergjente dhe karcinome.

“Rinovimi është planifikuar të përfundojë Brenda datës 15 prill dhe pas kësaj do të fillojmë me transplantin e donatorëve të gjallë dhe kufomave. Dua të theksoj se në këtë moment Qendra e Transplantit është jofunksionale për faktin se në ato dhoma trajtoheshin pacientë të shtruar me koronavirus dhe për shkak se teknikisht nuk funksionon dhe fatkeqësisht këto dhoma janë dëmtuar gjatë pandemisë. Pas përfundimit të rinovimit është planifikuar edhe rinovimi i Qendrës së Transplantit”, thotë Shabani.

 Nga viti 1977 e deri më sot janë kryer 596 transplante, nga të cilat 512 nga donatorë të gjallë dhe 84 nga donatorë kadaverik.

“Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, jemi në krye të listës, në një pozicion më të mirë me transplantin e veshkave. Në krahasim me vendet evropiane jemi shumë prapa”, thotë Shabani.

Pacienti më i ri që i është nënshtruar transplantit të veshkës është 15 vjeç dhe më i madhi 67 vjeç. Sipas Shabanit, lista e pritjes për transplantin e veshkave në vendin tonë është e gjatë.

“Rreth 160 pacientë janë në pritje të transplantit të dhuruesit të gjallë dhe dhuruesve të vdekur (kadeverikë)”, thekson Shabani.

 

Ai thotë se Klinika ka staf të mjaftueshëm profesional dhe në të ardhmen planifikohet të ketë së paku tre ekipe transplanti.

“Ka një ekip të posaçëm që merret me transplantin e veshkave, por përveç kësaj është edhe një ekip i dytë i transplantimit me urologë me përvojë, të cilët do të shfrytëzojnë përvojat nga klinika jonë, dhe njëkohësisht është bërë plani për edukim në qendrat e zhvilluara të transplantit dhe në të ardhmen planifikojmë të kemi së paku tre ekipe transplanti”, sqaron Shabani.

Nëpërmjet Koordinatorit Kombëtar të Transplantit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, është planifikuar edukim i vazhdueshëm në qendrat më të zhvilluara të transplantit, me qëllim sjelljen e përvojave të reja rreth transplantimit dhe rritjen e numrit të transplanteve në vendin tonë. 

Sëmundja injorohet derisa të shfaqen simptoma të rënda, kur nuk ka kthim pas

Dushko Gjorgiev, kryetar i shoqatës së pacientëve të sëmurë nga veshkat – “Nefron”, thotë se sëmundjet e veshkave janë një sfidë serioze me të cilën përballen pothuajse të gjitha sistemet shëndetësore në botë.

“Për shkak se 1 në 10 të rritur ka një formë të dëmtimit të veshkave dhe për shkak se sëmundja kronike e veshkave në fazat e saj të hershme është një sëmundje e heshtur dhe tinëzare pa simptoma, pacientët janë plotësisht të pavetëdijshëm për sëmundjen dhe pasojat që mund të lindin prej saj. Sistemi i pazhvilluar për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve është një nga arsyet e mungesës së vetëdijes së zhvilluar mjaftueshëm te popullata”, thekson ai.

Ai thotë se për sëmundjet e veshkave duhen zbatuar rregullat universale.

“Kontrollimi i shëndetit të veshkave të paktën një herë në vit përmes analizave të gjakut dhe urinës që janë gjerësisht të disponueshme, si dhe monitorimi i rregullt i faktorëve të rrezikut që çojnë në sëmundje kronike të veshkave, të cilët janë rregullimi i presionit të gjakut, rregullimi i sheqerit në gjak dhe mbajtja e një peshe të mirë trupore, praktikimi i një stili jetese të shëndetshëm dhe konsumimi i një diete dhe lëngjesh të shëndetshme”, thekson kryetari i shoqatës.

 

Duke pasur parasysh se 850 milionë njerëz në mbarë botën përballen me sëmundje kronike të veshkave, vendi nuk ka devijuar nga statistikat globale dhe rajonale. Rreth 10 milionë njerëz në mbarë botën ishin në fazën përfundimtare të sëmundjes kur veshkat e tyre dështuan dhe kishin nevojë për trajtim me dializë ose transplantim, por shumë prej tyre nuk e morën atë, për shkak të mungesës së burimeve dhe barrierave financiare në vende të ndryshme të botës.

“Në Maqedoni kemi një sistem shëndetësor social dhe e drejta për trajtim, veçanërisht për dializë, është e drejtë e garantuar që e marrin rreth 1657 pacientë në 23 qendra të dializës të shpërndara në 17 qytete. Sëmundja kronike e veshkave nuk dallon sipas moshës, gjinisë apo ndonjë dallimi tjetër, kështu që prek si fëmijët më të vegjël ashtu edhe pacientët më të vjetër. Sipas hulumtimit të fundit të bërë nga shoqata, pacienti më i ri i dializës ishte katër vjeç, por fatmirësisht tani është bërë transplanti. Anëtari ynë më i ri i cili është në dializë në qendër është vetëm 13 vjeç”, tha Gjorgiev në një deklaratë për MIA-n.

 Klinikat e nevojshme të nefrologjisë në të gjithë vendin dhe medikamentet në Listën Pozitive

Sipas të dhënave që disponon Shoqata e pacientëve me sëmundje të veshkave, në listën e pritjes për transplantin e veshkave nga dhurues kadaver ishin rreth 100-150 pacientë. Fatkeqësisht, thotë kryetari Gjorgiev, ajo listë nuk pasqyronte numrin e vërtetë.

“Në kushtet kur transplantimi nga dhurues kadaver nuk është zhvilluar mjaftueshëm, pacientët me dializë nuk regjistrohen në listën e pritjes, sepse tipi i nevojshëm dhe analizat që duhet t'i nënshtrohen janë të shumta, komplekse dhe kërkojnë kohë dhe burime financiare. Vitin e kaluar e përfunduam me transplantin nga dy dhurues kadaver (katër transplantime veshkash) dhe kjo reflekton shumë besimin e pacientëve për marrjen e një organi nga lista. Fatkeqësisht, Programi i Transplantit për vitin 2025 parashikon pesë dhurues kadaver, që fillimisht është shumë pak për nevojat dhe pritshmëritë e pacientëve. Ne presim që të bëhet shumë më tepër, veçanërisht në transplantet kadaver. Fatkeqësisht, prej kohësh kemi mbetur prapa në numrin e transplanteve të veshkave si në rajon ashtu edhe më gjerë. Ne angazhohemi për një numër më të madh të transplanteve kadaverike, pa e kufizuar numrin me program vjetor, por për të transplantuar të gjitha organet në dispozicion”, thekson ai në një deklaratë për MIA-n.

 

Gjorgiev thotë se sipas njohurive të deritanishme, sëmundjet kronike të veshkave, ishin shkaktari i shtatë i vdekshmërive në botë. Sipas të dhënave të fundit, parashikohet që deri në vitin 2040 të bëhet shkaku i pestë i vdekjeve të parakohshme në popullatë.

Për diagnostikimin dhe monitorimin në kohë të sëmundjes, thekson Gjorgiev, duhet të ketë një rrjet të zhvilluar të ambulancave nefrologjike në vend, ku çdo pacient do të mund të ketë në dispozicion shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur.

“Kjo nënkupton zbulimin e hershëm dhe regjistrat e personalizuar për monitorimin e mirë të sëmundjes që do të sigurojnë trajtimin e duhur, krijimin në kohë të aksesit vaskular, përshtatjen dhe pranimin e sëmundjes dhe përzgjedhjen e trajtimit sipas nevojave dhe aftësive individuale të pacientit. Është gjithashtu e nevojshme të rritet disponueshmëria e dializës peritoneale dhe të merret në konsideratë zhvillimi i dializës në kushte shtpiake, e cila është një praktikë në mbarë botën dhe është e disponueshme edhe në Serbinë fqinje. Nevojitet një sistem ku personat me sëmundje të veshkave të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre pa u ednur nëpër labirintet shëndetësore dhe sociale, me mbështetje psikosociale për pacientin dhe familjen, sepse është një sëmundje që prek familjen më gjerë. Të mos harrojmë edhe barnat që duhet të vendosen në Listën Pozitive për parandalimin e komplikimeve nga sëmundjet”, thotë për MIA-n kryetari i shoqatës së të sëmurëve me veshka. 

 Apelohet për sa më shumë transplantime veshkash nga donatorët e gjallë dhe nga donatorët kadaver në fazat e hershme të sëmundjes, gjë që do të reduktonte ndjeshëm numrin e pacientëve në dializë, një procedurë e vështirë dhe e shtrenjtë. Transplantimi, përveç se është zgjidhja më e mirë për pacientin, kursen mjete të konsiderueshme nga buxheti i shëndetësisë - një transplant kushton sa një vit dializë, thekson Gjorgiev.

Fushata e Ditës Botërore të Veshkave është një fushatë globale që filloi në vitin 2006 nga ISN I IFKF (Federatat Ndërkombëtare e Sëmundjeve të Veshkave) dhe Shoqata e Pacientëve me Veshka iu bashkua fushatës në vitin 2007.

Bllazhe Darudov

Foto: Arkivi I MIA-s

  

QËNDRONI TË LIDHUR