• e enjte, 31 tetor 2024

Reagim i ashpër nga republikanët pas deklaratës së Bajdenit i cili i quajti mbështetësit e Trampit “plehra”

Reagim i ashpër nga republikanët pas deklaratës së Bajdenit i cili i quajti mbështetësit e Trampit “plehra”

Uashington, 30 tetor 2024 (MIA) – Presidenti amerikan Xho Bajden është kritikuar ashpër nga Donald Tramp dhe republikanët për shkak të deklaratës që i ka quajtur mbështetësit e ish presidentit “plehra”.

"Të vetmet plehra që shoh këtu janë mbështetësit e tij", tha Bajden në një manifestim zgjedhor përmes video-konferencës. Ishte në përgjigje të një komenti racist nga një komedian që gjatë tubimit të Donald Trampit në Nju-Jork e quajti Porto Rikon një "ishull lundrues nga plehra".

Më vonë, Xho Bajden në Iks shkroi se deklarata i referohet fjalëve të folësit në tubimin e Trampit, ndërsa jo mbështetësve të ish-presidentit. Por, kjo nuk i bindi republikanët. 

"Xho Bajden dhe Kamala Haris e urrejnë Amerikën dhe nuk meritojnë edhe katër vite të tjera në Shtëpinë e Bardhë, deklaroi Kerollajn Levit, zëdhënëse e kandidatit republikan. Kamala duhet të përgjigjet për këtë fyerje të turpshme ndaj dhjetëra miliona amerikanëve", shtoi ajo.

"Është e tmerrshme të thuhet një gjë e tillë", tha Donald Tramp në një tubim zgjedhor në Alentaun, Pensilvania. 

Kandidati i tij nënpresidencial Xhej Di Vans i përshkroi komentet e Bajdenit si të “neveritshme”.

"Para disa minutash Xho Bajden deklaroi se mbështetësit tanë, patriotët tanë janë “plehra”, shtoi senatori republikan Marko Rubio. Ai po flet për amerikanët e zakonshëm që e duan vendin e tyre”.

Në intervistë për Foks Njuz mbrëmë, Tramp u distancua nga komentet e komedianit, duke pretenduar se nuk e dinte se kush ishte dhe se nuk duhej të ishte në skenë.

Pas kësaj, fushata e Trampit dërgoi një mesazh duke kërkuar donacione, duke thënë: "Shefi i Kamalas, Xho Bajden, sapo i quajti të gjithë mbështetësit e mi plehra!", duke shtuar se Tramp mendon se "ju jeni të mrekullueshëm". ls/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR