• e enjte, 05 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Raporti i PE-së për Kosovën: Nevojitet evitimi i aktiviteteve të njëanshme që e minojnë dialogun Prishtinë - Beograd  

Raporti i PE-së për Kosovën: Nevojitet evitimi i aktiviteteve të njëanshme që e minojnë dialogun Prishtinë - Beograd  

Bruksel, 9 prill 2025 (MIA) - Kosova ka arritur progres në reformat zgjedhore, rezistencën ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, por së bashku me Serbinë duhet të evitojë aktivitete të njëanshme që e minojnë procesin e dialogut Prishtinë - Beogad, theksohet në Raportin e Parlamentit Evropian për progresin e Kosovës në vitin 2023 dhe 2024, të miratuar sot nga ana e Komitetit parlamentar për punë të jashtme (AFET) me 48 vota "pro", 19 "kundër" dhe 6 "abstenim".

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, në Raport theksohet se edhe krahas progresit të dukshëm në disa fusha, mbeten sfidat e ndërlidhura në reformat gjyqësore, lirinë e mediave, efikasitetin e administratës publike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike.

"Vendosmëria e Kosovës për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është e vazhdueshme dhe të gjitha përpjekjet për ta nxjerrë Kosovën nga "zona gri" janë në interes si të Kosovës ashtu edhe të BE-së", theksojnë eurodeputetët në Raport, duke shtuar se e mbështesin plotësisht kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, qëllimin e saj strategjik për t'u bashkuar me Programin e NATO-s "Partneritet për paqe" dhe përpjekjet e saj për t'u anëtarësuar në organizata të tjera ndërkombëtare.

Eurodeputetët mirëpresin progresin e bërë në ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit, por theksojnë se një angazhim i fortë politik në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë është i nevojshëm dhe bëjnë thirrje për forcimin e vazhdueshëm të kapacitetit të Zyrës së Prokurorit të Posaçëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e krimit të organizuar të profilit të lartë.

Dokumenti gjithashtu kërkon "heqjen urgjente" të masave kufizuese të BE-së kundër Kosovës, të cilat, sipas eurodeputetëve, nuk janë më të justifikuara, pasi Prishtina ka përmbushur kërkesat e BE-së. Teksti thekson se këto masa janë "në kundërshtim të madh me angazhimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane" dhe pengojnë vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Eurodeputetët vlerësojnë se ky dialog nuk ka dhënë rezultatet e pritura deri më tani dhe u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit dhe të formojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradit i kërkohet të ndalojë kundërshtimin e anëtarësimit të Prishtinës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Në Raport gjithashtu u bëhe thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shmangin veprimet e njëanshme që mund të dëmtojnë procesin e dialogut tl tyre.

Raportuesi i PE-së për Kosovën, eurodeputeti estonez Riho Terras, vlerësoi se procesi i integrimit të Kosovës ka nevojë për një momentum të ri dhe se nevojitet një kapitull i ri në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit.

"Është jashtëzakonisht pozitive që të gjitha partitë kryesore në peisazhin politik të Kosovës janë fuqimisht në favor të integrimit në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane, bazuar në Axhendën e reformave dhe ne duhet të punojmë së bashku", theksoi Teras. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR