• e martë, 24 dhjetor 2024

Raporti i KE-së: Kapacitet i ulët operacional dhe administrativ për të gjitha llojet e transportit

Raporti i KE-së: Kapacitet i ulët operacional dhe administrativ për të gjitha llojet e transportit

Shkup, 5 nëntor 2024 (MIA) - Në Raportin për progresin e vendit për vitin 2024, Komisioni Evropian vlerëson se kapacitetet operative dhe administrative për të gjitha llojet e transportit janë të ulëta dhe se është bërë pak përpjekje për t'i forcuar ato. Për sa i përket legjislacionit të përgjithshëm të transportit, thuhet se dokumentet kryesore strategjike për transportin dhe nënsektorët e tij janë krijuar që në vitin 2023, por nuk është bërë asnjë progres në hartimin e planit të veprimit për Strategjinë Kombëtare të Transportit 2018 - 2030.

Edhe pse Maqedonia e Veriut është e përfshirë në mënyrë aktive në punën e Komunitetit të Transportit, citohet në aportin e KE-së, ka pasur përparim të kufizuar në zbatimin e planeve të veprimit të Marrëveshjes për Komunitetin e Transportit. Nuk ka plane për lëvizje të qëndrueshme urbane për Shkupin dhe qytetet e tjera të mëdha. Në qeverinë e re, ministri i Transporteve, i cili është edhe zëvendëskryeministër, mbetet përgjegjës për sektorin e transportit dhe postës.

“Për transportin rrugor legjislacioni është pjesërisht i harmonizuar me ligjin e BE-së. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmbushur plotësisht ligjin e BE-së për rregullat sociale dhe të tregut në transportin rrugor. Organi ekzekutiv për sigurinë në trafikun rrugor ende nuk është themeluar dhe ende nuk është hartuar një strategji për sigurinë rrugore. Legjislacioni për menaxhimin e sigurisë së infrastrukturës rrugore dhe kërkesat minimale të sigurisë për tunelet në rrjetin rrugor trans-evropian nuk janë në përputhje me legjislacionin e BE-së. Legjislacioni kombëtar për aksesin në treg në transportin ndërkombëtar të pasagjerëve është pjesërisht në përputhje me legjislacionin e BE-së. Ligji për substancat e rrezikshme është i harmonizuar me ligjin e BE-së, por ende nuk është caktuar një person juridik që do të bëjë vlerësimin e konformitetit të pajisjeve ekzistuese për transportin e substancave të rrezikshme”, citohet në Raport.

KE-ja vlerëson se kapacitetet e Inspektoratit Shtetëror të Transportit mbeten të dobëta dhe se financimi për mirëmbajtjen e rrugëve nuk i mbulon nevojat.

Sa i përket transportit hekurudhor, ai thekson se janë plotësuar kushtet për ndarjen e menaxherit të infrastrukturës nga operatori kombëtar dhe kritikon vonesën e liberalizimit të transportit hekurudhor.

Pas hapjes së tregut hekurudhor për të gjithë operatorët nga dhjetori i vitit 2023, ndryshimet e fundit të Ligjit që synojnë mbylljen e tregut për hyrjet e reja derisa vendi të anëtarësohet në BE, sipas Komisionit, paraqet një largim nga objektivi i legjislacionit të BE-së dhe Marrëveshja e Komunitetit të Transportit.

“Kërkohet zbatimi i legjislacionit të ndryshuar për sigurinë dhe ndëroperueshmërinë hekurudhore. Përgatitjet për forcimin e kapaciteteve operacionale të Drejtorisë së Sigurisë Hekurudhore janë vonuar. Ende nuk ka përparim në krijimin e një organi hetimor të aksidenteve. Marrëveshja për bashkëpunim hekurudhor ndërkufitar me Greqinë nuk është përfunduar ende”, thekson KE-ja.

Në fushën e aviacionit, thuhet se vendi ka ruajtur një nivel të mirë përputhshmërie me ligjin e BE-së dhe ka respektuar pjesërisht legjislacionin e sigurisë së aviacionit. Gjatë periudhës raportuese, thuhet në raport, është vlerësuar nëse vendi duhet të pranohet në fazën tjetër të Marrëveshjes për Aviacionin e Përbashkët Evropian (ECAA). Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme për të lehtësuar inspektimet e standardizimit të Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit. Duhet të ruhet funksionimi i pavarur i ofruesit të shërbimit të navigimit ajror.

Komisioni Evropian vlerëson se është bërë progres në drejtim të transportit multimodal dhe se ekspertët teknikë janë ende duke punuar në ngritjen e një nyje multimodale afër Shkupit. Gjithashtu, se vendi ende nuk ka harmonizuar legjislacionin kombëtar me ligjin e BE-së për informacionin elektronik për transportin e mallrave, si dhe seksionin për të drejtat e pasagjerëve në hekurudha.

KE-ja gjithashtu i referohet pjesëmarrjes sonë në rrjetet trans-evropiane (TEN) të promovuara nga BE-ja në fushën e transportit, telekomunikacionit dhe energjisë.

“Në rrjetet e transportit, pjesa më e madhe e rrjetit rrugor nuk është në përputhje me rregulloren e Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T), pasi Korridori 10 është më i avancuar në këtë aspekt sesa Korridori 8. Strategjia Kombëtare e Transportit 2018-2030 është në përputhje me zhvillimin e TEN-T-it por pa plan veprimi. Trajtimi joefikas si plani i veprimit për strategjinë dhe zbatimi i ngadaltë, si p.sh. punimet përgjatë Korridorit 10-e, pengojnë zhvillimin e këtij sektori. Vendi aktualisht po zbaton më shumë se 10 projekte në rrjetin rrugor TEN-T. Mjetet e destinuara për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore nuk mbulojnë nevojat. Ka interes të kufizuar në zhvillimin e planeve për lëvizshmëri të qëndrueshme urbane, megjithëse fondet IPA janë në dispozicion për projektet përkatëse“, citohet në raport.

Në prill të vitit 2024, thuhet se ratifikimi i marrëveshjes së nivelit të lartë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për hartat treguese të rrjetit të transportit trans-evropian në Maqedoninë e Veriut është bërë në përputhje me marrëveshjen për hartat treguese për TEN-T në Ballkanin Perëndimor, të nënshkruar në maj të vitit 2023. Korridori 8 do të jetë pjesë e korridorit të ri të transportit Ballkani Perëndimor – Evropa Mesdhetare Lindore, i cili do të lidhë Evropën Juglindore me qendrën e Evropës përmes rajonit të Ballkanit Perëndimor.

KE-ja thekson se punimet në korridorin hekurudhor 8 drejt Bullgarisë janë duke vazhduar, por edhe se faza e tretë e projektit, nga Kriva Palanka deri në kufirin me Bullgarinë, është ndërprerë nga autoritetet kombëtare.

Raporti thekson se nevojiten përpjekje shtesë të vazhdueshme për të përshpejtuar përparimin në Korridorin 8 hekurudhor dhe pjesë të tjera prioritare të rrjetit kryesor, si për hekurudhat ashtu edhe për atë rrugor.

“Duhen më shumë përpjekje nga të dyja palët për të finalizuar marrëveshjen e ndërsjellë me Greqinë për vendosjen e pikës kufitare hekurudhore Kremenicë-Neos Kafkasos me infrastrukturën hekurudhore tashmë të ndërtuar operative. Financimi për ndërtimin e infrastrukturës së duhur në stacionin kufitar hekurudhor Tabanovcë ende nuk është siguruar

plotësisht. Planet pesëvjeçare për mirëmbajtjen e rrugëve dhe hekurudhave ende nuk janë miratuar”, citohet në Raport.

Foto:MIA

QËNDRONI TË LIDHUR