Qeveria zyrtare e Greqisë bëri betimin solemn
- Betim solemn para presidentes së Greqisë Katerina Sakelaropulu dhe në prani të përfaqësuesit të kishës greke, bëri Qeveria e re zyrtare dhe e përkohshme e Greqisë, e cila ka mandat prej një muaji deri në zgjedhjet më 25 qershor, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Sara Ademi
- 13:36, 26 maj, 2023
Athinë, 26 maj 2023 (MIA) - Betim solemn para presidentes së Greqisë Katerina Sakelaropulu dhe në prani të përfaqësuesit të kishës greke, bëri Qeveria e re zyrtare dhe e përkohshme e Greqisë, e cila ka mandat prej një muaji deri në zgjedhjet më 25 qershor, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Përbërja e re qeveritare ka 20 anëtarë, të gjithë janë me funksion ministra, ndërsa prej tyre vetëm gjashtë janë gra.
Pas betimit solemn në Pallatin presidencial në Athinë, kryeministri Joanis Sarmas, e caktoi edhe seancën e parë qeveritare.
Menjëherë pastaj do të vijojë edhe pranim-dorëzimi i funksioneve të Ministrive.
Ambasadori i Nderit Vasilis Kaskarelis, i cili është ish-përfaqësues i përhershëm i Greqisë në KB, në NATO, si dhe në BE, por edhe ish ambasador në SHBA, është ministri i ri i Punëve të Jashtme të Greqisë dhe sot pasdite do të marrë zyrtarisht detyrën nga Nikos Dendias.
Ish zëvendësministri i Mbrojtjes Alkiviadis Stefanis kthehet në Ministrinë e njejtë, por këtë herë si ministër i mbrojtjes, ndërsa në Ministrinë e Financave vjen zëvendësguvernatori i Bankës së Greqisë Teodoros Pelagidis.
Gazetari i televizionit shtetëror ERT Ilias Siakandaris është zëdhënësi i ri qeveritar. sa/