• e hënë, 23 dhjetor 2024

Punonjësit e Higjienës Komunale në Tetovë e ndërprenë grevën, filluan t'i pastrojnë mbeturinat

Punonjësit e Higjienës Komunale në Tetovë e ndërprenë grevën,  filluan t'i pastrojnë mbeturinat

Tetovë, 1 dhjetor 2023 (MIA) - Punonjësit e "Higjienës Komunale" në kuadër të Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) Tetovë prej sot fillojnë me punë pas grevës triditëshe. Të punësuarit thonë se është arritur marrëveshje me komunën që për dy javë t'i marrin pagat të cilat nuk u janë paguar.

"Sot morëm një pagë, ndërsa deri më 15 dhjetor duhet të na paguajnë edhe dy paga. Nëse nuk realizohet pagesë deri më 15 dhjetor do të fillojmë grevë të përgjithshme. Që në orët e hershme të mëngjesit filluam të pastrojmë mbeturinat nga rrugët kryesore. Gjatë ditës së sotme dhe ditëve në vijim në mënyrë më intensive do të pastrohen mbeturinat nga të gjitha vendet", informuan për MIA-n punëtorët nga "Higjiena Komunale".

Rreth kontejnerëve këto tri ditë kishte shumë mbeturina. Përveç se për pagat e papaguara ata protestojnë edhe për kontributet e papaguara. Ata tri ditë u grumbulluan në rrethin e "Higjienës Komunale" pranë NPK Tetovë dhe nuk i pastronin mbeturinat. 

Pas fillimit të grevës të martën, Komuna e Tetovës u ka dërguar një letër mediave në të cilën sqaron se do të sigurojë pagesën e pagave të mbetura. Sipas tyre, krijimi i dy ndërmarrjeve të reja komunale dhe bashkëpunimi me kompaninë sllovene përmes partneritetit publik privat është mënyra për të siguruar një zgjidhje të përhershme

Në fillim të nëntorit komuna e Tetovës nënshkroi marrëveshje me përfaqësues të kompanisë sllovene nga grupacioni Saubermaher për partneritet publik privat me të cilën firmës i jepet menaxhimi me mbeturinat. 

Edhe në dhjetor të vitit 2022 punonjësit e Higjienës Komunale kishin grevë dhe nuk punonin për shkak të vonesës së pagave. Atëherë Komuna e Tetovës transferoi para në xhirollogarinë e ndërmarrjes publike që të paguhen pagat dhe kontributet e papaguara. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR