• e hënë, 23 dhjetor 2024

PTHP - Shkup me dy procedura kundër dilerëve të drogës në Shkup, një i dyshuar për ndihmë

PTHP - Shkup me dy procedura kundër dilerëve të drogës në Shkup, një i dyshuar për ndihmë

Shkup, 19 nëntor 2023 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka marrë vendim për zbatimin e procedurës hetuese kundër një të dyshuari për vepër penale prodhim të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafi 1 i Kodit Penal, si dhe kundër edhe një personi i cili e ka ndihmuar që ta kryente veprën penale. 

"I dyshuari 35 vjeçar nga Shkupi, në shtëpi dhe në banesë të përkohshme të padeklaruar në rrugën 'Cerska', në mënyrë të paligjshme ka mbajtur për shitje drogë narkotike - marihuanë në masën totale neto 4802,4 gramë, kokainë në masë totale neto 62 gramë, si dhe substancë psikotrope - 3, 4 metilen-dioksimetamfetamin në masë të përgjithshme prej 7 gramë", njoftoi sot Prokuroria Themelore Publike Shkup.

Ndihmësi, 30-vjeçar nga Shtipi, e ka ndihmuar në kryerjen e veprës kështu që i ka dhënë në dispozicion mjete që të kryejnë veprën penale, gjegjësisht i ka mundësuar që ta shfrytëzojë shtëpinë në të cilën ka qëndruar vetë në bazë të marrëveshjes së lidhur për qira me person të tretë. 

Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje, frika e arsyetuar se do të pengojë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët dhe rrethana të veçanta që arsyetojnë frikën se do të përsërisë veprën, prokurori publik i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit.

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur hetim edhe ndaj një 33-vjeçari nga Kriva Pallanka i cili po qëndronte i pa regjistruar në një vilë në Çuçer Sandevë, ku gjatë kontrollit iu gjetën 952 gramë amfetaminë, 19,56 gramë kokainë, rreth gjysmë kilogram marihuanë, 14,6 mililitra hashash në gjashtë shiringa, si dhe fara kanabisi me masë neto totale 9,62 gramë.

Edhe për këtë të dyshuar prokuroria ka propozuar masë paraburgimi. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR