PTHP ngriti procedurë ndaj pesë personave për keqpërdorim me rezervat shtetërore të mallrave
- Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti procedurë kundër pesë personave për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër penale si bashkëkryerës - Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353, paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 4 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.
- Post By Qefsere Abduli
- 15:22, 25 nëntor, 2025
Shkup, 25 nëntor 2025 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti procedurë kundër pesë personave për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër penale si bashkëkryerës - Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353, paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 4 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.
Siç njofton PTHP, të dyshuarit e kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos e kryer detyrën e tyre zyrtare dhe megjithëse ishin të detyruar ta informonin Qeverinë për gjendjen faktike në Ndërmarrjen Publike për Operacione Bursash "Agro bursa" Shkup, gjegjësisht se kishte ndodhur mungesë e pabazuar e grurit dhe elbit tregtar (periudha 2019-2021), të njejtët kanë paraqitur të dhëna dhe informacione të pasakta.
"Me këtë veprim, personat kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rezervat e Mallrave. Njëri nga të dyshuarit, bashkëpunëtor i jashtëm, ekspert i angazhuar përmes Byrosë së Vlerësimit, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Vlerësimin dhe në kundërshtim me marrëveshjen e shërbimit të lidhur midis të akuzuarit dhe Byrosë për Ekspertiza Gjyqësore, duke përgatitur një akt-ekspertimi në të cilin ka futur të dhëna të pavërteta, pa marrë parasysh të gjitha informatat dhe dokumentacionin e Agjencisë për Rezervat e Mallrave dhe të NP "Agro Bursa", thuhet në kumtesën e PTHP-së.
Më tej thuhet se akt-ekspertizmi është bashkëngjitur në informacionin e dërguar në Qeveri dhe e njejta është pranuar nga ana e Qeverisë, pas së cilës Agjencia për Rezervat e Mallrave Shkup është detyruar të bëjë shkrimin nga evidenca e 1.500 tonëve grurë merkantil dhe 500 tonëve elb për ushqim blegtoral, me vlerë totale prej 29.112.000 denarësh ose 473.365 euro (në momentin e shkrimit nga evidenca, sipas çmimeve me të cilat ishin blerë gruri dhe elbi në vitin 2022, vlera e tyre ka qenë 48.000.000 denarë ose 780.487 euro) vlerë e cila i shkakton dëm Buxhetit.
"Duke pasur parasyshë se bëhet fjalë për një vepër që ndiqet në procedurë të shkurtuar, prokurori publik i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake kërkesën për caktimin e masave të kujdesit - konfiskim të dokumentit të udhëtimit dhe paraqitje të rregullt në gjykatë për të gjithë të dyshuarit", thonë nga PTHP-ja. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s