Protesta "Pa mbretër" në mbarë SHBA-në
- Amerikanët dolën dje në rrugë në të gjithë SHBA-në për të protestuar kundër presidentit Donald Tramp dhe administratës së tij, duke shprehur pakënaqësi me luftën në Iran, masat e ashpra kundër migracionit dhe atë që ata e perceptojnë si tendenca gjithnjë e më autoritare, raportoi DPA.
- Post By Sara Ademi
- 10:19, 29 mars, 2026
Uashington, 29 mars 2026 (MIA) - Amerikanët dolën dje në rrugë në të gjithë SHBA-në për të protestuar kundër presidentit Donald Tramp dhe administratës së tij, duke shprehur pakënaqësi me luftën në Iran, masat e ashpra kundër migracionit dhe atë që ata e perceptojnë si tendenca gjithnjë e më autoritare, raportoi DPA.
Organizatorët thanë se më shumë se 3,000 ngjarje "Pa Mbretër" ishin planifikuar në të gjitha 50 shtetet, ndërsa protestuesit dolën gjithashtu në rrugë në Evropë për të kërkuar që Tramp të japë dorëheqjen. Dhjetëra mijëra njerëz vlerësohet se iu bashkuan një tubimi në Uashington të shtunën në mëngjes. Protestuesit paralajmëruan për "fashistë në Shtëpinë e Bardhë" dhe mbajtën lart një figurë të prerë prej kartoni të zëvendësshefit të kabinetit të Trampit, Stiven Miller, me fjalët "Adolf" rreth qafës së tij.
Protestat masive, "Pa Mbretër", u organizuan për herë të parë vitin e kaluar pasi Donald Tramp u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Organizatorët, një lëvizje e gjerë e grupeve të shoqërisë civile, e akuzojnë Trampin për shpërfillje të parimeve themelore të sundimit demokratik të ligjit dhe për akumulimin e pushtetit që është i papërshtatshëm për një president të SHBA-së dhe që të kujton sundimtarët autoritarë. Protestat e djeshme pritej të tërhiqnin rreth 9 milionë njerëz në të gjithë vendin.
Rreth 100,000 njerëz pritej të merrnin pjesë në tubimin kryesor në Sent Pol, Minesota - një shtet që u bë vatër pas një bastisjeje të ICE-së (Shërbimi për migrim), në të cilën dy persona u qëlluan nga agjentët federalë. Në këtë protestë u paralajmërua pjesëmarrja e personaliteteve të njohura si Brus Springstin, Xhoan baez, Xhejn Fonda dhe senatori Berni Sanders.
Përpara aksionit, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë i dënoi protestat e planifikuara si tubime të një grupi të vogël të mbështetur nga rrjetet e krahut të majtë, duke pretenduar se atyre u mungonte mbështetja e gjerë publike.
Protesta u zhvilluan edhe në Evropë. Në Gjermani, qytetarët dolën në rrugët e Berlinit, Hamburgut, Mynihut dhe Frankfurtit, duke protestuar kundër veprimeve të ICE-së, tendencave antidemokratike dhe duke kërkuar publikimin e plotë të dosjeve të Epstin-it. sa/
Foto: EPA