Fico kërcënon të bllokojë sanksionet e reja të BE-së kundër Rusisë për shkak të bllokadës së "Miqësisë"
- Kryeministri sllovak Robert Fico ka kërcënuar se do të bllokojë sanksionet e reja të BE-së kundër Rusisë për shkak të bllokimit të naftëpërçuesit "Miqësia", përmes të cilit Ukraina ndërpreu furnizimet me naftë dy muaj më parë.
- Post By Sara Ademi
- 13:07, 29 mars, 2026
Bratisllavë, 29 mars 2026 (MIA) - Kryeministri sllovak Robert Fico ka kërcënuar se do të bllokojë sanksionet e reja të BE-së kundër Rusisë për shkak të bllokimit të naftëpërçuesit "Miqësia", përmes të cilit Ukraina ndërpreu furnizimet me naftë dy muaj më parë.
"Nëse Komisioni Evropian i jep Ukrainës një avantazh ndaj Sllovakisë, ajo mund të harrojë mbështetjen e paketës së 20-të të sanksioneve kundër Rusisë ose gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar (në zbatimin e planeve) për pranimin e shpejtë të Ukrainës në BE", tha Fico në një videomesazh në Fejsbuk.
Fico deklaroi se Komisioni Evropian nuk ka bërë asgjë për të detyruar presidentin ukrainas Volodimir Zelenski të normalizojë furnizimet përmes naftëpërçuesit "Miqësia".
"I regjistrojmë deklaratat e presidentit ukrainas se ai nuk ka absolutisht asnjë interes në rivendosjen e tranzitit të naftës ruse. Pas ndërprerjes së tranzitit të gazit rus, kjo shënon lëvizjen e dytë të hapur armiqësore dhe ekonomikisht të dëmshme nga Volodimir Zelenski kundër Sllovakisë", theksoi Fico.
Sipas tij, nëse furnizimet me naftë përmes naftëpërçuesit "Druzhba" do të kishin vazhduar, Sllovakia dhe rajoni i Evropës Qendrore nuk do të ishin përballur me një situatë të vështirë për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit.
Autoritetet ukrainase pretendojnë se naftëpërçuesi "Miqësia" u dëmtua në një sulm rus në janar, por refuzojnë të lejojnë ekspertët evropianë ta inspektojnë atë. sa/
Foto: Fico në Fejsbuk skrinshot