• e diel, 29 mars 2026

Izraeli raporton sulmin e dytë me raketa nga Jemeni që nga fillimi i luftës me Iranin

Izraeli raporton sulmin e dytë me raketa nga Jemeni që nga fillimi i luftës me Iranin

Tel Aviv, 29 mars 2026 (MIA) - Një raketë u lëshua dje nga Jemeni drejt Izraelit, sulmi i dytë i tillë që nga fillimi i luftës me Iranin një muaj më parë, njoftoi armata izraelite vonë mbrëmë.

Një dron u vu re mbi qytetin jugor izraelit të Eilatit dhe një raketë lundrimi u interceptua përpara se të arrinte në territorin izraelit, raportoi DPA, duke cituar Tajms of Izrael.

Të shtunën në mëngjes, milicitë jemenase qëlluan një raketë drejt Izraelit për herë të parë që nga fillimi i luftës me Iranin një muaj më parë. Edhe kjo raketë u neutralizua nga mbrojtja ajrore izraelite.

Milicia Huthë konfirmoi sulmin e mbrëmjes në një kumtesë. Operacioni i tyre i dytë ushtarak i ditës përbëhej nga një "breshëri raketash lundrimi dhe dronësh" dhe u drejtua kundër një numri objektivash strategjikë dhe ushtarakë në Izraelin jugor, njoftoi komanda e tyre në Sana.

Në fillim të luftës, e cila filloi me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit, Huthët e mbështetur nga Irani premtuan "solidaritet të plotë dhe të palëkundur" me Teheranin. Kohët e fundit janë rritur frika se milicia islamike do të ndërhyjë nga Jemeni.

Huthët në të kaluarën kanë sulmuar vazhdimisht anije tregtare në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit. Këto rrugë ujore ofrojnë një lidhje kyçe midis Mesdheut dhe Oqeanit Indian dhe konsiderohen si disa nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë. sa/

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR