• e hënë, 23 dhjetor 2024

Protestë e të punësuarve në Universitetin "Nënë Tereza" në Shkup

Protestë e të punësuarve në Universitetin

Shkup, 4 mars 2024 (MIA) - Sindikata e Universitetit "Nënë Tereza" (UNT) sot mbajti protestë të qetë para hyrjes së institucionit arsimor për shkak të mosnënshkrimit të Marrëveshjes Kolektive me këtë Universitet.

Kryetari i Sindikatës së UNT-së Avni Avdiu në një deklaratë për MIA-n theksoi se protesta mbahet së bashku dhe në të njëjtën kohë edhe me katër universitete shtetërore për ta shprehur qëndrimin dhe protestën e tyre se janë të injoruar dhe diskriminuar nga Kuvendi dhe Qeveria pas nënshkrimit të Marrëveshjes kolektive  vetëm me Universitetin "Shën Cirili e Metodi" në Shkup.

"E mirëpresim zbatimin e marrëveshjes kolektive me USHCM-në, por u themi autoriteteve që njëkohësisht zbatojnë standarde të dyfishta, diskriminim dhe pabarazi sepse pesë universitetet e tjera publike gëzojnë të njëjtin status, kryejnë të njëjtin aktivitet shoqëror me të njëjtën përgjegjësi dhe duke mos nënshkruar marrëveshjen kolektive janë lënë mënjanë padrejtësisht nga shteti. Shoqata dhe sindikata të bashkuara, me këtë protestë po bëjmë të ditur se po veprojmë të bashkuar, pa asnjë ngjyrë politik, të organizuar për kthimin e dinjitetit, integritetit dhe drejtësisë", thotë Avdiu.

Ai thekson se nëse nuk nënshkruhet marrëveshja kolektive do të marrin masa të tjera si protestë para Kuvendit, bojkot të mësimit. Masat do të miratohen në koordinim me katër universitetet e tjera. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR