• e hënë, 23 dhjetor 2024

Propozim buxheti për vitin 2025 sot në mbledhje qeveritare

Propozim buxheti për vitin 2025 sot në mbledhje qeveritare

Shkup, 29 tetor 2024 (MIA) - Propozim buxheti për vitin 2025 sot do të shqyrtohet në mbledhjen e Qeverisë, bëri të ditur kryeministri Hristijan Mickoski. 

Në pyetjen e gazetarëve Mickoski vlerësoi se treguesit janë duke u përmirësuar dhe po lëvizin punët për projektet e mëdha infrastrukturore. Ai theksoi se është mirë që nuk ka rritje dramatike të deficitit dhe se ka barazim gradual me investimet kapitale.

"Investimet kapitale janë diku në vlerë prej 50 miliardë denarë prej të cilave 32 miliardë janë nga buxheti bazë dhe rreth 80 nga huatë dhe programe që janë tashmë në vazhdim ose ende për t'u marrë. Deficiti buxhetor mendoj është rreth 41-42 miliardë denarë. Këtë vit është mirë ajo që nuk kemi rritje dramatike të deficitit, investimet kapitale dhe deficiti buxhetor gradualisht po barazohen. Tani janë diku në nivelin 300 deri në 400 milionë euro, pres që deri në fund të vitit të jenë shumë afër edhe pse e dini se kemi trashëguar një deficit buxhetor trefish më të madh në krahasim me investimet kapitale, por në këto pak muaj Ministria e Financave dhe Qeveria arritën ta konsolidojnë dhe tani për tani situata është diku mbi 18 miliardë denarë investime kapitale, diku rreth 24,5 miliardë denarë", tha Mickoski. 

Ai vlerësoi se po përshpejtohet realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore. Shtoi se deri në fund të vitit duhet të përfundojë aksi rrugor Çataç - Dllaboçicë - Kriva Pallankë dhe rruga ekspres Gradsko - Rosoman - Farish. Ai theksoi se dje edhe zyrtarisht kanë filluar aktivitetet në terren në një pjesë të Korridorit 8, ku është e mundur puna në disa kilometra, ka edhe aktivitete në aksin Prilep - Manastir dhe se tashmë janë asfaltuar 11-12 kilometra te vendi Pesoçeni në shtrirjen ndërmjet Arbinovës dhe Ohrit në magjistralen Kërçovë-Ohër. Gjërat po lëvizin, borxhet po kthehen. Kemi rreth 20 miliardë të ardhura më shumë se rritja me 30 miliardë e deficitit buxhetor gjatë ribalancit, ndaj ngadalë por me siguri këta tregues për këta pak muaj janë të mirë. Se si do të jetë tutje do ta shohim", tha Mickoski para pjesëmarrësve në Konferencën e parë vjetore të "Blumberg Adria" në Shkup.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska dje deklaroi se Buxheti i vitit 2025 do të jetë zhvillimor sepse nuk do të neglizhohet komponenti social.

"Ndihma sociale nuk mund të hiqet plotësisht. Është paraparë më shumë kontroll, por nëse dëshironi ta ulni duhet të ndërmerrni diçka. Prandaj janë planifikuar masa për rikualifikimin e përfituesve të ndihmës sociale për të filluar punën. Gjithashtu, fokus më i madh do t'i kushtohet digjitalizimit të proceseve në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë", tha ministrja gjatë pjesëmarrjes në lajmet e RTM-së.

Projeksionet që do të kalojnë në Buxhetin për vitin 2025 u prezantuan me miratimin e Strategjisë fiskale, gjegjësisht 4 për qind deficit buxhetor dhe 3.7 për qind rritje të BPV-së.

"Gjithçka që është paraparë në kuadër të Buxhetit do të realizohet. Shpenzimet kapitale janë planifikuar të jenë diku mbi 44 miliardë denarë që në këto kushte paraqet një nivel të shkëlqyer. Për ta bërë këtë, ndryshe nga më parë, do të fokusohemi në projekte cilësore, siç janë ato komunale për të cilat janë nënshkruar kontrata. Nuk do të shmangemi nga ai realizim i rritjes së parashikuar ekonomike, sepse fokusi ynë është mbështetja e investimeve. Për më tepër, kur flasim për investime, flasim për realizimin real të investimeve. Këtë e vërtetova edhe në mbledhjet në Uashington me përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore", theksoi ministrja. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR