Prmeiera e filmit "Të gjithë e thërrasin Rexho" më 23 janar në Sinepleks
- Në kinemanë "Sinepleks" në Shkup më 23 janar do të shfaqet premiera e filmit "Të gjithë e thërrasin Rexho". Bëhet fjalë për projektin më të ri të regjisorit Ibër Deari, me skenar të vetë Dearit, në bashkëpunim me Artin Selmanin.
- Post By Melahat Baftija
- 14:35, 20 janar, 2025
Shkup, 20 janar 2025 (MIA) - Në kinemanë "Sinepleks" në Shkup më 23 janar do të shfaqet premiera e filmit "Të gjithë e thërrasin Rexho". Bëhet fjalë për projektin më të ri të regjisorit Ibër Deari, me skenar të vetë Dearit, në bashkëpunim me Artin Selmanin.
Ngjarja e filmit zhvillohet në fshatin Sllupokovë, fshat fiktiv, ku tema e filmit përqendrohet në fenomenin e migrimit, që ka shkaktuar zbrazje të fshatit nga ku shumë të rinj kanë ikur nga vendi.
Siç deklaroi regjisori Ibër Deari, "Të gjithë e thërrasin Rexho" e shfaq jetën e vetmuar të një punëtori, i cili nuk ka ku të ikë nga puna, në një fshat ku të gjithë kanë ikur.
"Filmi ka temë sociale dhe shumë aktuale, të gjithë të rinjtë dhe punëtorët kanë ikur nga fshati në vendet perëndimore, personi i vetëm që punon në atë fshat është Rexho dhe të gjithë e thërrasin atë. Për shkak të kësaj personazhi kryesor ndjehet i mërzitur dhe i pashpresë. Rexhoi mbetet dhe qëndron në zemër të Sllupkovës", tha Deari.
Siç thuhet në komunikatën për shtyp të filmit, kjo komedi-dramë na çon në një udhëtim vorbull nëpër fatkeqësitë gazmore të një heroi fshati. Rexho, zejtar me zemër prej ari, merr punë të çuditshme për ta mbajtur vendin gjallë. Nga rregullimi i gypave që rrjedhin deri te grumbullimi i bagëtive të padisiplinuara, bëmat e tij aventureske, të guximshme ose të rrezikshme sjellin kaos dhe të qeshura në jetën e banorëve të çuditshëm të Sllupkovës. Por përballja e vërtetë vjen kur Rexho kryqëzon rrugët me Miftarin, ngatërrestarin e etur për pushtet.
Filmi mbështetet nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut me produksion të Sasho Pavllovskit dhe muzikë të Darko Spasovskit. Në të luajnë aktorët e njohur shqiptarë Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Ledion Mulaku, Adem Karaga, Bujar Ahmeti e të tjerë. Filmi do të ketë premierë edhe në Prishtinë dhe Tiranë. mb/
Foto: Pllakat