Në Universitetin e Tetovës u promovua libri “Matematika mendimtare” i autores Prof. Dr. Teuta Iljazi
- Në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës para studentëve, profesorëve dhe dashamirëve të librit u promovua vepra “Matematika mendimtare” e autores Prof. Dr. Teuta Iljazi, njëherit edhe ligjëruese në Fakultetin Pedagogjik.
Tetovë, 25 dhjetor 2024 (MIA) - Në ambientet e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës para studentëve, profesorëve dhe dashamirëve të librit u promovua vepra “Matematika mendimtare” e autores Prof. Dr. Teuta Iljazi, njëherit edhe ligjëruese në Fakultetin Pedagogjik.
Promovimi i kësaj vepre përkoi me përvjetorin e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës. Në emër të udhëheqësisë së Universitetit, stafit të pedagogëve dhe studentëve, pjesëmarrësit në këtë promovim me fjalë rasti i përshëndeti dekani i Fakultetit Pedagogjik Prof. Dr. Lulzim Mehmedi. “Në ditën e themelimit të Fakultetit Pedagogjik kemi nderin të bëjmë promovimin e librit më të ri të Prof. Dr. Teuta Iljazit. Ne të gjithë e dimë se matematika është një shkencë e cila nuk kërkon vetëm njohuri teorike, ajo kërkon që studentët, nxënësit, mësimdhënësit e ardhshëm të përballen me zgjidhje problemesh me mendim ndryshe si dhe të mund të aplikojnë koncepte në jetën reale. Pikërisht libri që promovojmë sot është një libër që i kalon përmasat e mësimit tradicional të matematikës dhe ofron zhvillim të mendimit kritik dhe analizës logjike. Në fund, dua ta përgëzoj profesoreshën për këtë libër duke i uruar që në të ardhmen të ketë edhe botime tjera", tha dekani i Fakultetit Pedagogjik Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Profesoresha e Fakultetit Pedagogjik Prof. Dr. Rabije Murati, në cilësinë e promovueses së librit tha se kjo vepër jo vetëm që shërben si një burim i pasur njohurish për të gjithë ata që dëshirojnë të thellojnë dhe zgjerojnë njohuritë e tyre matematikore por gjithashtu ndriçon rrugën për metodat inovative të mësimëdhënies në këtë fushë kaq thelbësore. “Matematika mendimtare – nuk është thjesht një tekst ai është një udhërrëfyes i menduar mirë që synon të zgjojë kuriozitetin dhe të ndërtojë një bazë më të fortë mendore për lexuesit. Prof. Dr. Teuta Iljazi ka punuar me përkushtim të palodhur për të siguruar një koncept që do të jetë i qasshëm, i kuptueshëm dhe mbi të gjitha i zbatueshëm në sfidat e përditshme që na paraqiten.” – vlerësoi Prof. Dr. Rabije Murati.
Recensenti i librit Prof. Dr. Lazim Kamberi tha se vepra “Matematika mendimtare” e Prof. Dr. Teuta Iljazit ka si objektiv zhvillimin e të menduarit logjik – të menduarit matematikor në lëndën e matematikës. “Libri është shumë i rëndësishëm në përgatitjen e nxënësve në shkolla për konceptet dhe metodat e matematikës, me një fokus të veçantë në trajtimin e problemeve me zgjidhjen e tyre përmes një qasjeje analitike dhe kritike. Pra, “Matematika mendimtare” është një libër që u drejtohet nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve për ta përdorur në klasë sepse ka një qasje pak më ndryshe. Ai është i strukturuar në disa pjesë kyçe që synojnë rritjen e kuptueshmërisë dhe aftësive të nxënësve për të zbatuar konceptet matematikore në mënyrë të pavarur.” - tha profesori i Fakultetit të Shkencave Matematike - Natyrore Prof. Dr. Lazim Kamberi.
Autorja e librit “Matematika mendimtare” tha se ky libër vjen me një qasje pak më ndryshe, ndërsa qëllimi i tij është zhvillimi i të menduarit te nxënësit. “Shekulli XXI kërkon shkathtësi të reja të cilat duhet të jenë prezente te nxënësit. Shkathtësitë e komunikimit, të menduarit kritik, zgjidhja e problemeve kreativiteti dhe kureshtja, duhen kultivuar te nxënësit dhe studentët sepse ata duhet të përgatiten për sfidat e shekullit XXI. Libri është i ndarë në tri pjesë, pjesa e parë është e ndërlidhur me materialin që mësohet në ciklin e ulët, pjesa e dytë kërkon nga nxënësit zgjidhje logjike, për detyra që mund të zgjidhen edhe nga nxënësit që nuk janë shumë të dalluar në matematikë. Nëpër detyra do të vëreni vizatime, skema, modele të cilat u ndihmojnë nxënësve t’i zgjidhin detyrat. Kjo pjesë kryesisht është e përbërë nga detyrat tekstuale – problemore pasi që në shkolla shumë pak punohet ky lloj i detyrave të cilat efektet i kanë shumëdimensionale. Po ashtu ka fjalorthin me të cilin kuptimet janë sqaruar me skema ose fotografi. Ndërsa pjesa e tretë në fund të librit janë rezultatet, udhëzimet e detyrave me ndihmën e të cilave nxënësi mund të bëjë vetëkontroll të njohurive", shtoi mes tjerash në fjalën e saj autorja e librit njëherit edhe profesoreshë në Fakultetin Pedagogjik Prof. Dr. Teuta Iljazi.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti për të gjithë pjesëmarrësit u shprënda falas libri “Matematika mendimtare”. mb/
Foto: UT