• e hënë, 23 dhjetor 2024

Prindërit e SHF "Braqa Miladinovci" kërkojnë zgjidhje për një nxënës problematik, drejtoresha thotë se të gjtihë kompetentët punojnë në lidhje me rastin

Prindërit e SHF

Shkup, 4 maj 2023 (MIA) - Prindërit e shkollës fillore “Braqa Miladinovci” në Shkup kërkojnë të zgjidhin problemin me një nxënës i cili sipas tyre sjell armë të ftohtë në shkollë dhe ngacmon nxënësit e tjerë. Në një prononcim për MIA-n, drejtoresha e shkollës thotë se janë duke u marrë të gjitha masat ligjore dhe se stafi mësimor dhe shërbimi profesional është i përfshirë në të gjithë këtë proces.

Ajo tregon se shkolla merr të gjitha masat ligjore për nxënësin dhe fuqizohet përfshirja e stafit mësimor, shërbimit profesional dhe drejtoreshës  gjatë periudhës kur ai është i pranishëm në mësime. Përfshihen edhe institucionet e tjera (Komuna e Aerodromit, Shërbimi Pedagogjik në MASH, QNPS, MPB, ISHA).

"Në kohën kur ndodhi ngjarja tragjike në Beograd, mendoj se prindërit duhet të përmbahen nga krijimi i panikut dhe t'u kushtojnë më shumë vëmendje fëmijëve të tyre. Shërbimi profesional pranë shkollës në vazhdimësi mban punëtori për parandalimin e dhunës ndërpersonale. Apeloj tek prindërit që të respektojnë rregullat e shtëpisë dhe rregulloren e shkollës për sigurinë e nxënësve", thotë drejtoresha Aneta Velkoska.

MIA ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës edhe nga Komuna e Aerodromit. Nga Sektori për Arsimit i Komunës së Aerodromit kemi marrë përgjigje, ku konfirmojnë se kanë pranuar ankesë nga prindërit, pas së cilës kanë kontaktuar shërbimet profesionale të shkollës dhe kanë mbajtur takim me drejtoreshën dhe shërbimet profesionale.

"Në takim, nga shkolla theksuan se po merren të gjitha masat ligjore dhe se po bëhet përpjekje maksimale për përmirësimin e situatës. Nga aty theksojnë se po ashtu sektori është në komunikim të vazhdueshëm me prindërit përmes këshillit të prindërve në shkollë me qëllim të përmirësimit të procesit arsimor. Komuna e Aerodromit është në kontakt me shkollën për këtë rast", thuhet në përgjigjen për MIA-n.

Ndërkohë, MASH ka dërguar një kumtesë ku thuhet se zhvillimet në Serbinë fqinje kanë alarmuar seriozisht që angazhimi dhe kujdesi institucional, familjar dhe individual për rritjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijëve duhet të ngrihet në një nivel edhe më të lartë. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR