• e premte, 30 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Presidentja Siljanovska-Davkova në takim me përfaqësues të bashkësisë lokale Galiçnik

Presidentja Siljanovska-Davkova në takim me përfaqësues të bashkësisë lokale Galiçnik

Shkup, 15 prill 2025 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti Ognen Karagjozovskin, kryetar, Filip Filipovskim, nënkryetar i bashkësisë lokale të Galiçnikut dhe Dejan Petrovskin, drejtor të "Dasmës së Galiçnikut".

Duke pranuar propozimin që edhe këtë vit manifestimi tradicional "Dasma e Galiçnikut" të jetë nën patronatin e presidentes së shtetit, ajo theksoi rëndësinë e kultivimit të zakoneve unike maqedonase si pjesë përbërëse e identitetit kombëtar maqedonas.

Galiçniku, me bukurinë e rrallë natyrore, arkitekturën origjinale, historinë e pasur dhe kulturën autentike, mund të jetë një magnet turistik dhe një destinacion i dëshiruar turistik jo vetëm gjatë Dasmës së Galiçnikut, por edhe gjatë gjithë vitit.

Përfaqësuesit e bashkësisë lokale e njoftuan presidenten për planet dhe projektet ambicioze për ringjalljen e Galiçnikut, duke treguar hapat dhe aktivitetet e nevojshme për këtë qëllim. Rikonstruimi i rrugës nga fshati Jaçe në Galiçnik dhe rinovimi i furrës dikur të famshme, më shumë se një shekullore, janë parakushte të nevojshme për një jetë normale në fshat. Renovimi i shtëpisë së Gjorgjija Pulevskit dhe shndërrimi i saj në muze do të ringjallë kujtimin e fshatit të lavdishëm për të cilin banorët krenoheshin dhe të tjerët e kishin zili. Ringjallja e aftësive të gatimit, djathëbërjes, thurjes, qëndisjes dhe zdrukthtarisë mund të tërheqë interesin e shumë dashamirësve që ikin nga zhurma dhe kaosi i jetës moderne të qytetit.

Sigurimi i kalueshmërisë së rrugës nga Mavrova në Galiçnik nga fundi i vjeshtës deri në fillim të pranverës, përkundër rrëshqitjeve të mëdha të borës, do t'u mundësojë banorëve të Galiçnikut, por edhe të gjithë dashamirëve të dëborës dhe qetësisë, një arratisje në bardhësinë e pafund dhe kënaqësinë unike të peizazheve malore.

E prekur nga idetë frymëzuese për zhvillimin e Galiçnikut si destinacion i jashtëzakonshëm turistik, Siljanovska-Davkova shprehu gatishmërinë e saj për të lobuar dhe marrë pjesë në organizimin e ngjarjeve për mbështetje financiare të projekteve.

"Dasma e Galiçnikut" mund të ngrihet në një ngjarje mbi ngjarjet, një moment për të kujtuar dhe treguar histori, një akt artistik në të cilin të gjithë do të duan të marrin pjesë.  Sigurisht që manifestimi “Dasma e Galiçnikut” do të mbahet tradicionalisht në ditën e Shën Pjetrit, nga data 11 deri më 13 korrik të këtij viti. ls/

Foto: Kabineti i presidentes

 

QËNDRONI TË LIDHUR