Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani priti në takim komandantin në largim dhe atë të ri të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan
- - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan (KFOR 34), kolonelin Peter Helzer nga Garda Kombëtare e Oregonit, si dhe komandantin e ri të kësaj komande (KFOR 35), kolonelin Xhonatan Llojd nga Garda Kombëtare e Louisianës.
- Post By Fitore Curri
- 17:28, 1 korrik, 2025
Prishtinë, 1 korrik 2025 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan (KFOR 34), kolonelin Peter Helzer nga Garda Kombëtare e Oregonit, si dhe komandantin e ri të kësaj komande (KFOR 35), kolonelin Xhonatan Llojd nga Garda Kombëtare e Louisianës.
Presidentja Osmani, siç bëhet e ditur në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK) e falënderoi kolonelin Helzer për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke e vlerësuar lart kontributin e tij në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Me këtë rast, ajo i ndau atij një Mirënjohje Presidenciale si shenjë respekti dhe falënderimi për angazhimin e tij të çmuar.
Në vijim të takimit, Osmani i uroi mirëseardhje kolonelit Llojd, duke e siguruar atë për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Osmani shprehu mirënjohjen më të thellë në emër të popullit të Kosovës për mbi 26 vjet të pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, një prani që ka qenë jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Ajo vlerësoi lart përkushtimin e vazhdueshëm të ushtarakëve amerikanë në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të sigurisë së përbashkët.
Në përmbyllje, presidentja ritheksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e palëkundur dhe për partneritetin strategjik, i cili vazhdon të forcojë themelet e paqes dhe sigurisë në rajon. fc/
Foto: Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës