• e hënë, 23 dhjetor 2024

Popullsia e rrëqebullit ballkanik është e qëndrueshme, por përballet me kërcënime të caktuara

Popullsia e rrëqebullit ballkanik është e qëndrueshme, por përballet me kërcënime të caktuara

Shkup, 21 shtator 2023 (MIA) - Popullsia e rrëqebullit ballkanik është mjaft e vogël, bëhet fjalë për rreth dyzet, pesëdhjetë rrëqebull që kanë nevojë për çdo lloj ndihme, nga institucionet e Maqedonisë, nga sektori joqeveritar, nga organizata ndërkombëtare, me synimin për të mundësuar mbrojtje më të madhe të rrëqebullit ballkanik në këto zona në Ballkanin Perëndimor. Tani për tani, ne mendojmë se popullsia është e qëndrueshme, se nuk është në rënie, por përballet me kërcënime të caktuara, siç janë shtimi i këtij lloji, i cili sfidon popullatat e vogla të izoluara dhe mund të kontribuojë në një rënie të madhe dhe, në fund, në zhdukjen e plotë të kësaj popullsie.

Këtë e theksoi sot Dime Melovski, udhëheqës i programit për mbrojtjen e kafshëve të egra në Shoqërinë ekologjike të Maqedonisë, i cili në Shtëpinë Evropiane në Shkup e prezantoi programin për rikuperimin e rrëqebullit ballkanik.

Ai përkujtoi se bëhet fjalë për një program afatgjatë të vazhdueshëm që po punohet në tri shtete të Ballkanit – Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.

"Ne jemi këtu për t'i prezantuar rezultatet para institucioneve që kryesisht merren me çështje ndërkombëtare. Ka edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe ambasadave. Gjithçka është nën kujdesin e ambasadorit evropian Dejvid Gir. Qëllimi është që të informohen për zhvillimet aktuale me projektin dhe të ofrohet bashkëpunim", tha Melovski.

Ai sqaroi se kjo fazë e programit do të vazhdojë edhe për katër vitet e ardhshme.

Të pranishmëve iu drejtua edhe ambasadori Dejvid Gir, shef i delegacionit të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se mbrojtja e natyrës, ruajtja e biodiversitetit dhe përmirësimi i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore kanë qenë gjithmonë shumë të rëndësishme për Bashkimin Evropian.

Ai tha se kriza e biodiversitetit duhet të jetë në plan të parë të agjendës politike globale, ashtu si ndryshimet klimatike.

"Maqedonia e Veriut është nikoqire e biodiversitet të pasur, duke përfshirë shumë specie të rrezikuara, të rralla dhe endemike, si dhe ekosisteme relativisht të mëdha të paprishura. Tendenca globale e humbjes së biodiversitetit prek edhe këtë vend, ndaj veprimet për mbrojtjen dhe ruajtjen e një pasurie të tillë janë të një rëndësie të madhe", theksoi Gir.

Ai shtoi se Shoqëria ekologjike e Maqedonisë vlerësohet veçanërisht për aktivizmin që e demonstron për mbrojtjen e natyrës, përfshirë luftën kundër humbjes së biodiversitetit.

Sfidat aktuale në ruajtjen e natyrës, nënvizoi Gir, mund të zgjidhen vetëm me angazhimin e përbashkët të të gjithëve dhe veprimin e secilit prej nesh.

Edhe Robertina Brajanoska, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë, theksoi se tema është e rëndësishme.

Ajo theksoi gjithashtu se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe të gjitha subjekteve të tjera është shumë i rëndësishëm për ruajtjen e këtij lloji dhe përmirësimin e popullsisë. Prandaj, shtoi, i madh është edhe interesimi i partnerëve të mëparshëm nga jashtë, të cilët kanë ndihmuar në këtë proces. ls/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR