• e premte, 05 dhjetor 2025

Policia e ka zbardhur vrasjen e dyfishtë në Prilep: Daja i ka thirrur qëllimisht për vizitë dhe menjëherë i ka vrarë

Policia e ka zbardhur vrasjen e dyfishtë në Prilep: Daja i ka thirrur qëllimisht për vizitë dhe menjëherë i ka vrarë

Shkup, 13 korrik 2025 (MIA) - Lidhur me ngjarjen penale - Vrasje dhe vetëvrasje, e ndodhur ditën e djeshme në Prilep, sipas informacioneve fillestare me të cilat për momentin disponon SPB Manastir – NJPB Prilep, rrethanat janë si më poshtë:

Siç qëndron në kumtesën e MPB-së, dje rreth orës 15:00, P.Gj. (62) nga Prilepi ka telefonuar nipin e tij nga motra, P.Ç. (43) nga Prilepi, dhe e ka ftuar që të shkojë në shtëpinë e tij në Prilep, duke këmbëngulur që ai të marrë me vete edhe djalin e tij të mitur 13-vjeçar, i cili po ashtu është nip nga motra i P.Gj.

Sipas informacioneve fillestare, P.Ç., pas ftesës nga daja i tij, e mori me vete djalin e tij të mitur dhe i tregoi bashkëshortes së tij, K.Ç. (43), se daja i tij kishte insistuar që ta vizitonte së bashku me djalin, pas çka të dy u nisën për tek shtëpia e tij.

Sipas të dhënave dhe informacioneve fillestare nga dëshmitarë okularë që i ka NJPB Prilep, rreth orës 15:30 – 16:00, në afërsi të shtëpisë së tashmë të ndjerit P.Gj., janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri (dyshohet se atëherë ka ndodhur vrasja, në të cilën P.Gj. ka qëlluar për vdekje nipin dhe djalin e tij të mitur). Megjithatë, deri në atë moment, në NJPB Prilep nuk është raportuar asnjë e shtënë armësh në territorin e Prilepit.

Informacionet e siguruara nga nëpunësit policorë të NJPB Prilep, njoftojnë se në një profil në Facebook, për të cilin dyshohet se është krijuar dhe i përket dajës P.Gj., në orën 17:10 është publikuar një status me përmbajtje të dyshimtë, në të cilin ai i përmend motrën e tij dhe nipin (sipas kohës së publikimit, dyshohet se statusi është postuar pas vrasjes së nipit dhe djalit të tij të mitur).

Bashkëshortja e tashmë të ndjerit P.Ç., sipas informacioneve të siguruara, pas një kohe ka tentuar t’i kontaktojë në telefon bashkëshortin dhe djalin e tyre të mitur, por pasi nuk ka arritur të lidhet me ta, është nisur drejt shtëpisë së dajës së bashkëshortit të saj. Ajo ka vërejtur se dera hyrëse ishte e mbyllur dhe askush nuk iu përgjigjej thirrjeve të saj, ndërsa para shtëpisë ishte i parkuar automjeti i bashkëshortit të saj. Pas një kohe, në orën 21:20, ajo e ka raportuar rastin në NJPB Prilep, duke njoftuar se atë ditë bashkëshorti i saj së bashku me djalin e tyre të mitur ishin larguar nga shtëpia dhe duke shtuar se me shumë gjasë ndodheshin në shtëpinë e dajës së bashkëshortit të saj.

Pasi në orën 21:20 ishte raportuar rasti në NJPB Prilep, menjëherë nëpunës policorë janë nisur drejt shtëpisë në rrugën "Stevan Apostolloski" në Prilep. Pas mbërritjes në adresën e përmendur për të kryer kontroll sipas raportimit, askush nuk u përgjigj në derën e shtëpisë së P.Gj.

Menjëherë është kontaktuar prokurori publik, i cili lëshoi urdhër që nëpunësit policorë të hapin derën me forcë. Në momentin kur kanë hyrë në shtëpi, P.Gj. ka hedhur një granatë drejt tyre, e cila ka filluar të lëshojë tym, por nuk ka shpërthyer. Pas kësaj, nëpunësit policorë janë tërhequr jashtë, ndërsa nga ana e P.Gj. është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre. Policia është përgjigjur duke qëlluar me armët e tyre të shërbimit drejt shtëpisë dhe në orën 22:40 kanë raportuar me radio lidhje se ndaj tyre është qëlluar me armë zjarri në rrugën "Stevan Apostolloski".

Pas një kohe të shkurtër, P.Gj. ka kryer vetëvrasje me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur ekipi i Ndihmës së Shpejtë nga Prilepi, dhe nga mjeku është konstatuar vdekja e P.Ç., P.Gj. dhe të miturit 13-vjeçar si pasojë e plagëve nga armë zjarri.

Më 13.07.2025, në orën 01:20, nga ana e nëpunësve policorë të NJPB Prilep, në praninë e një prokurori publik, është kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes në rrugën “Stevan Apostolloski” në Prilep. Nga hetimi është konstatuar se në një shtëpi me përdhesë dhe kat, me oborr para derës hyrëse si dhe brenda në shtëpi, janë gjetur gëzhoja armësh zjarri, si dhe gjurmë hyrëse dhe dalëse të plumbave.

Në korridor, në dysheme, është gjetur edhe një bombë dore M93. Po ashtu, në hyrje të dhomës janë gjetur një pistoletë kalibri 9 mm dhe një tjetër pistoletë kalibri 7.65 mm, dokumente, para të gatshme, kontrata pronësore dhe dokumente të tjera.

Nga ana e prokurorit publik është lëshuar urdhër që të kryhet autopsi mbi trupat e të ndjerëve. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR