• e martë, 24 dhjetor 2024

Policëmbajtësit kanë arkëtuar 71 milionë euro, kompanitë e sigurimeve kanë paguar mbi 100.000 dëme

Policëmbajtësit kanë arkëtuar 71 milionë euro, kompanitë e sigurimeve kanë paguar mbi 100.000 dëme

Shkup, 10 mars 2023 (MIA) - Kompanitë e sigurimeve kanë paguar 30 për qind më shumë para për dëmet e siguruara vitin e kaluar krahasuar me një vit më parë. Numri më i madh i dëmeve është paguar për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të mbuluara nga sigurimi shëndetësor shtesë, por  nga të gjitha klasat e sigurimit vullnetar, më së shumti mjete janë paguar për dëmet e mbuluara nga sigurimi i pasurisë, kumtoi Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS).

"Kompanitë e sigurimit kanë paguar 103.130 dëme të mbuluara nga sigurimet jo-jetë në vitin 2022. Numri i dëmeve të paguara është 30 për qind më i lartë krahasuar me vitin e kaluar 2021. Të siguruarit nga kompanitë e sigurimeve vitin e kaluar kanë arkëtuar 4,4 miliardë denarë (71,7 milionë euro). Kjo është gati 5,5 milionë euro, pra 8,3 për qind më shumë fonde të paguara në krahasim me vitin 2021, sipas të dhënave zyrtare të dorëzuara në Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (ASO) nga të 11 shoqëritë e sigurimeve jo-jetë. Numri më i madh i dëmeve të paguara është në sigurimin shëndetësor suplementar, të njohur gjerësisht si sigurimi privat. Dhjetë kompanitë e  sigurimeve që shesin këtë sigurim kanë paguar mbi 46.000 dëme për të siguruarit e tyre vitin e kaluar, që është pothuajse gjysma e të gjitha dëmeve të paguara. Policëmbajtësit që kanë sigurim shëndetësor privat gjatë vitit të kaluar kanë arkëtuar 426 milionë denarë (6,9 milionë euro) nga siguruesit e tyre për shpenzime mjekësore. Vitin e kaluar, shuma e shpenzimeve mjekësore të mbuluara nga sigurimet shëndetësore private është më shumë se e dyfishuar (3,5 milionë euro) krahasuar me vitin e kaluar, 2021", njofton AMS.

Sipas Agjencisë, siç pritej, shuma më e madhe e dëmeve u pagua me sigurimin më masiv dhe të detyrueshëm me ligj të sigurimit të auto-përgjegjësisë (AP). Janë paguar mbi 27.000 dëme nga aksidentet rrugore dhe aksidentet që kanë ndodhur brenda vendit në vlerë prej 1,75 miliardë denarësh (28 milionë euro). Për sigurimin e mbuluar me kartonin jeshil, janë paguar 1.205 dëme në vlerë prej 418 milionë denarësh (6,8 milionë eurosh).

Vlera më e lartë e dëmeve të paguara nga të gjitha sigurimet vullnetare, siç pritej, është në sigurimin e pasurisë. Vitin e kaluar janë paguar gjithsej 766 milionë denarë (12,45 milionë euro), ose 8 për qind më shumë se vitin paraprak. Personat fizikë vitin e kaluar kanë inkasuar dëme të siguruara në vlerë prej 262 milionë denarë (4,3 milionë euro), ndërsa kompanitë, institucionet dhe personat e tjerë juridikë kanë arkëtuar 504 milionë denarë (8,2 milionë euro). Tek personat fizikë, shuma e dëmit të paguar është ulur me 17 për qind, ndërsa te personat juridikë është rritur me 29 për qind. Klasat e tjera të sigurimeve sipas shumës së dëmeve të paguara që veçohen janë: sigurimi gjithëpërfshirës i automjeteve me 545 milionë denarë (8,8 milionë euro), sigurimi nga aksidentet me 347,2 milionë denarë (5,6 milionë euro) dhe sigurimi i shëndetit gjatë udhëtimit, për të cilin policëmbajtësit kanë arkëtuar 62,1 milionë denarë (nje milion euro)", informoi AMS.

Në totalin e dëmeve të paguara vitin e kaluar, "Triglav Osiguruvanje" ka marrë pjesë me 14,5 për qind, "Kroacia Osiguruvanje - Jo-Jetë" me 11 për qind, "Halk Osiguruvanje" me 10,8 për qind, "Sava Osiguruvanje" me 10,5 për qind, "Unika"  me 9,3 për qind, “Makedonia Osiguruvanje VIG” dhe “Euroins Osiguruvanje” me 9,2 për qind. Pas tyre vijnë Eurolink me 8,5 për qind, “Viener VIG” me 8,3 për qind, “Osiguritelna Polisa” me gjashtë për qind dhe “Grave” me 2,7 për qind.

"Për sa i përket aktivitetit të shoqërive të sigurimeve jo-jetës, bazuar në raportet e tyre të pa audituara, përfitueshmëria është përmirësuar ndjeshëm në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021. Dhjetë nga gjithsej 11 Shoqëri e mbyllën vitin me fitim (para taksimit). Rreth tetë kompani që kanë punuar me fitim vitin e kaluar kanë një rezultat financiar më të mirë krahasuar me vitin 2021", njofton AMS. bsh/

Foto: AMS

QËNDRONI TË LIDHUR