• e hënë, 23 dhjetor 2024

Petrovska - Blashçak: Maqedonia e Veriut dhe Polonia janë ambicioze në avancimin e bashkëpunimit aleat në mbrojtje

Petrovska - Blashçak: Maqedonia e Veriut dhe Polonia janë ambicioze në avancimin e bashkëpunimit aleat në mbrojtje

Shkup, 4 tetor 2023 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot në Varshavë u takua me homologun e saj polak, ministrin e Mbrojtjes, Mariush Blashçak me të cilin ka biseduar për integrimin evropian të vendit, gjendjen e sigurisë në Evropë dhe zhvillimin e bashkëpunimit të mbrojtjes mes dy vendeve - aleate në NATO.

Petrovska, siç informoi Ministria e Mbrojtjes, e falënderoi Blashçakin për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Theksoi se integrimet evropiane janë edhe një mënyrë e fuqizimit të unitetit në kontinentin evropian dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve. 

"Maqedonia e Veriut është demokraci evropiane e cila edhe në periudhën më të vështirë pas agresionit rus ndaj Ukrainës tregoi se në tërësi i respekton dhe i mbështet rregullat dhe parimet ndërkombëtare. Me Maqedoninë e Veriut si anëtare e plotfuqishme, Bashkimi Evropian do të jetë më i sigurt dhe më i fuqishëm", tha ministrja në takim. 

Petrovska dhe Blashçak, siç u tha, shprehën vullnetin dhe interesimin e tyre për përforcimin e bashkëpunimit dypalësh të mbrojtjes maqedono-polake, veçanërisht në fushën e trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta. Ministrja Petrovska theksoi se stërvitja e përfunduar së fundmi "Anakonda 23" në Poloni, në të cilën morën pjesë oficerë nga Maqedonia e Veriut, është shembull se si mund të zhvillojmë bashkëveprimin në NATO.

"Për sa i përket situatës së sigurisë në kontinent, Petrovska riafirmoi mbështetjen e Maqedonisë për Ukrainën përmes ndihmës humanitare dhe ushtarake, duke pasur parasysh se Rusia ka shkelur parimet e rendit ndërkombëtar dhe Ukraina ka çdo të drejtë të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial", thuhet në kumtesë..

Ministri Blashçak u falënderua për pjesëmarrjen e ministres Petrovska në Forumin e Sigurisë në Varshavë dhe porositi se vendi është i hapur për fuqizim dhe avancim të bashkëpunimit në mbrojtje me Maqedoninë e Veriut si vend anëtar. 

Ministrja Petrovska më parë u takua edhe me Stefani Dion, përfaqësuese speciale e Kanadasë për Bashkimin Evropian dhe Evropën, me të cilën ka biseduar për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

"Maqedonia e Veriut është vend evropian që ndan vlerat evropiane dhe i përket Bashkimit Evropian. Rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut duhet të vazhdojë. Është përgjegjësi e çdo subjekti politik në Bashkimin Evropian dhe në Maqedoninë e Veriut dhe pres nga lidershipi dhe guximi për të kryer obligimet e marra që do të na mundësojnë të ecim në rrugën e anëtarësimit të plotë në Union", tha ministrja Petrovska. fc/

Fotografia: Ministria e Mbrojtjes

QËNDRONI TË LIDHUR