• e hënë, 23 dhjetor 2024

Perinski: Deri në fund të vitit 2026 të gjitha komunat do t'i bashkëngjiten e-portalit me pakon e shërbimeve të tyre

Perinski: Deri në fund të vitit 2026 të gjitha komunat do t'i bashkëngjiten e-portalit me pakon e shërbimeve të tyre

Shkup, 26 shtator 2024 (MIA) - Strategjitë për rritjen e të hyrave komunale, avancimi i procesit të decentralizimit dhe përmirësimi i transparencës dhe llogaridhënies së vetëqeverisjes lokale janë temat e Forumit Strategjitë për bashkëpunim në mobilizimin dhe decentralizimin e qëndrueshëm të resurseve, nikoqir i të cilit është Projekti i USAID-it për Forcimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e resurseve të komunave.

Në forumin e të cilit morën pjesë përfaqësuesit e autoriteteve lokale dhe qendrore, si dhe palët relevante të interesit fjalim kishte Zllatko Perinski, ministër i Vetëqeverisjes lokale të cilët theksuan se projekti është i rëndësishëm sepse u ndihmon komunave, veçanërisht në sferën e forcimit të kapaciteteve dhe ndershmërisë së tyre në menaxhim me financat publike. Në këtë kontekst, shtoi, do t'u ndihmojë që mjetet t'i shfrytëzojnë më me përgjegjësi dhe transparente në lidhje me thirrjen publike të shpallur nga Qeveria në vlerë prej 100 milionë euro për projekte kapitale të infrastrukturës.

"Qeveria përmes ministrive resore do të monitorojë procesin, megjithatë zbatimi i mjeteve është përgjegjësi e plotë e pushtetit vendor dhe shpresoj se ky mjet do t'i ndihmojë ata që t'i disponojnë ato mjete në mënyrë më të përgjegjshme dhe të përshtatshme. Në mënyrë shtesë do të ndihmojë në atë pjesë të digjitalizimit, që si LMS është e domosdoshme për ne ta zbatojmë. Vendosëm qëllimin që deri në fund të vitit të 2026 të gjitha njësitë vendore të lidhen me e-portalin pas çka do të ofrojnë një pako të caktuar të shërbimeve të tyre për qytetarët, por do të ofrojmë edhe mundësinë e mbledhjes së tatimit në pronën përmes e-tatimit, si dhe t'i përkushtohen më aktivisht problemit të mbledhjes së të ardhurave nga burimet e tyre si taksat e pronës dhe tarifat e shërbimeve, pra të përditësojnë në mënyrë më të përshtatshme bazat e tyre të shfrytëzuesve. Për momentin kemi një diferencë të madhe mes pushteteve lokale – kemi komuna ku mbledhin afërsisht 100 për qind të taksave, por edhe disa ku kemi 0 për qind", tha mes tjerash Perinski sipas të cilit mjeti duhet të ndihmojë për pavarësi më të madhe financiare të komunave. 

Zëvendësambasadorja e SHBA-së Nikoll Varns mes tjerash potencoi se decentralizimi nuk ka të bëjë vetëm me transferimin e pushtetit, por ajo duhet të sigurojë që pushtetet vendore të kenë mjetet dhe burimet për të përmbushur nevojat e qytetarëve të tyre.

"Ju inkurajoj të lëvizni kufijtë e asaj që është e mundur. Pa dallim nëse përmes partneriteteve publike-private, sistemeve të përmirësuara të mbledhjes së tatimeve ose proceseve transparente të buxhetit, bashkëpunimi dhe inovacioni mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës për qytetarët në të gjithë vendin. Ashtu siç shkojmë përpara, le të kujtojmë se kjo nuk është një sfidë të cilin çdo entitet mund ta trajtojë i vetëm. I nevojshëm është bashkëpunimi i qeverive lokale, kreatorëve politikë kombëtarë, sektorit privat dhe shoqërisë civile", tha Varns duke theksuar se SHBA qëndrojnë me ne në këtë rrugëtim drejt një të ardhme më të mirë e cila ka prioritet qëndrueshmërinë financiare, inovacionin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Në lidhje me mundësinë që komunat të bëhen të pavarura nga pushteti qendror, si të përmirësohet mbledhja e tatimeve dhe si mund t'i shfrytëzojnë mjetet që qeveria ka shpallur për komunat prej 250 milionë euro për secilin vit, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami konsideron se një pjesë e komunave kanë kapacitete, por për fat të keq, thotë, jo të gjitha i shfrytëzojnë resurset lokale dhe përmendi shembullin e Tetovës.

"Fatkeqësisht, strukturat e mëparshme nuk i shfrytëzuan deri në fund mundësitë që ofron niveli aktual i decentralizimit dhe për këtë arsye angazhimi ynë i parë ishte që për të kërkuar burime shtesë nga qeveria qendrore dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, duhet të krijojmë kapacitete për t'i përdorim dhe mbledhim të ardhurat tona lokale. Ne në Komunën e Tetovës po punojmë seriozisht në atë fushë dhe për dy vite me radhë, pas vlerësimit të ri të pronave, mbledhja e tatimit në pronë është dyfishuar si hyrje bazë dhe të hyra nga zgjedhjet lokale. Gjithashtu po punojmë shumë për të marrë burime shtesë nga pushteti qendror dhe institucionet ndërkombëtare", tha Kasami duke potencuar se duhet të vazhdohet me procesin e decentralizimit, për të cilin është nënshkruar memorandum ndërmjet BNJVL-së dhe Qeverisë, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet komunave në drejtim të shfrytëzimit të resurseve.

Profesori universitar Borçe Trenovski mes tjerash thekson problemin me kapacitetin e komunave për mbledhjen dhe menaxhimin e financave publike në konstelacionin aktual të të hyrave publike, sepse thotë, se buxhetet personale të komunave janë 30 për qind, ndërsa pjesa tjetër janë transferta kapitale nga pushteti qendror. Për atë nëse duam që komunat të ofrojnë shërbimet duhet ta rrisin ndjeshëm atë përqindje. Për atë i gjithë realizimi i mjeteve të paralajmëruara prej 100 apo 250 milionë euro për zhvillimin e komunave do të varet nga kapacitetet e vetë komunave, për t'i realizuar ato mjete, ndërsa mbi 35 për qind e tyre nuk kanë plane strategjike.

"Të gjitha hulumtimet tregojnë se investimet kapitale, investimet e bëra përmes pushtetit lokal japin rezultate më të mëdha për kënaqësinë ekonomike të qytetarëve, dhe për rritjen ekonomike në nivel lokal dhe sigurojnë më shumë të ardhura për t'u mbledhur në nivel lokal. Ata duhet të jenë pjesë e zinxhirit të realizimit të investimeve, thotë, Trenovski, por është e nevojshme që të bëhet një kontroll i konsiderueshëm dhe të përcaktohen dhe forcohen kapacitetet e tyre, si dhe të përkrahet nga një komunë më e aftë në tjetrën, sepse mjetet mund të mos jenë realizuar dhe qytetarët mbeten të pakënaqur.

Drejtori i projektit, Bardhyl Marku, theksoi se janë të vetëdijshëm se procesi i decentralizimit ende nuk mundëson financim të pavarur të të gjitha funksioneve në vetëqeverisjen lokale, prandaj janë disa nga ato mjete të TVSH-së që transferohen në komuna. Sipas tij, puna bazë të cilës duhet t'i përkushtohen kryetarët e komunave është përmirësimi i mbledhjes së të hyrave vendore, në radhë të parë të tatimit në pronë, taksave lokale dhe tarifave tjera si pjesë e pakos së të hyrave burimore.

"E vërtetë është se disa vite më parë kishte bashki që nuk kishin as drejtori tatimore. Komuna e Haraçinës nuk ka pasur fare drejtori tatimore, por me mbështetjen e projektit tonë e kanë formuar drejtorinë tatimore dhe vitin e kaluar kemi shënuar rritje të mbledhjeve të tatimit në pronë për 125 për qind në krahasim me vitin paraprak. Kështu që nga viti 2022 ata filluan të administrojnë taksat. Në përgjithësi, me mbështetjen tonë, komunat kanë përmirësuar ndjeshëm situatën me administratën tatimore. Vitin e kaluar sipas të dhënave të MF, ka pasur një përmirësim në komuna në të cilat kemi punuar nga një rritje prej 33 për qind në mbledhjen e taksave. Ajo është një përqindje e madhe për fillim, por ne ende duhet të punojmë", thotë ai.

Projekti i USAID-it për përforcim të kapaciteteve për shfrytëzim të resurseve është një projekt pesëvjeçar (2021-2026) që ndihmon njësitë e qeverisjes vendore në Maqedoninë e Veriut të mbledhin dhe menaxhojnë në mënyrë të pavarur menaxhimin e nevojshme për të financuar shërbimet e kërkuara nga qytetarët. rq/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR