Panel në konferencën e MASIT-it: Për përparim ekonomik nevojitet sinergji mes arsimit dhe industrisë
- Sektori TI-së ka potencial të madh për rritje, por edhe fuqi shoqërore të rëndësishme për të kontribuar në avancimin e sistemit arsimor dhe përgatitjen e gjeneratave të ardhshme, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në panel-diskutimin ‘Kush do ta kodojë të ardhmen? – Edukimi, kuadri dhe nevojat e industrisë së IKT-së’, që u mbajt në kuadër të konferencës së 20-vjetorit të MASIT- Odës Ekonomike për Teknologjitë Informatike dhe të Komunikimit.
- Post By Besnik Shuki
- 15:55, 3 dhjetor, 2025
Shkup, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Sektori TI-së ka potencial të madh për rritje, por edhe fuqi shoqërore të rëndësishme për të kontribuar në avancimin e sistemit arsimor dhe përgatitjen e gjeneratave të ardhshme, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në panel-diskutimin ‘Kush do ta kodojë të ardhmen? – Edukimi, kuadri dhe nevojat e industrisë së IKT-së’, që u mbajt në kuadër të konferencës së 20-vjetorit të MASIT- Odës Ekonomike për Teknologjitë Informatike dhe të Komunikimit.
Ministrja theksoi se Strategjia e re për Arsimin 2026–2032 vendos fokus të fortë në zhvillimin e aftësive digjitale te të rinjtë, ndërsa në periudhën që pason pritet mbështetje e shtuar nga industria TI-së.
"Arsimi është përgjegjësi shoqërore e përbashkët. Sektori TI-së ka fuqinë, mund dhe duhet të ndihmojë në zhvillimin e tij”, theksoi Janevska.

Ajo rikujtoi se Ministria gjatë një viti e gjysmë të fundit ka punuar për integrimin e inteligjencës artificiale në arsim. Për këtë qëllim është përgatitur udhëzues për zbatim etik të mjeteve të IA për mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë dhe nxënësit, dhe janë organizuar gjithashtu shumë trajnime për kuadrin mësimor.
Potencoi se ekziston hendek digjital midis shkollave në rajone të ndryshme – rezultat i investimeve të pabarabarta në të kaluarën, që ndikon gjithashtu që fëmijët të kenë nivele të ndryshme të njohurive digjitale.
"Qëllimi ynë është ta zvogëlojmë këtë hendek përmes optimizimit të rrjetit shkollor dhe investimeve të reja. Me optimizimin, nxënësit nga shkollat më të vogla rajonale do t’i bashkohen shkollave më të mëdha ose qendrore me kushte më të mira, ku ka tabela interaktive, kompjuterë modernë, projektorë, internet të sigurt etj. Në vitin 2024 dhe 2025, Ministria tashmë ka përmirësuar infrastrukturën TI në 100 objekte shkollore dhe këtë proces do ta vazhdojmë edhe në 2026”, tha Janevska.
Pavarësisht rritjes së pritshme të buxhetit për arsimin edhe vitin e ardhshëm, ministrja theksoi se çdo mbështetje shtesë nga komuniteti i biznesit është e mirëpritur, veçanërisht kur bëhet fjalë për digjitalizimin e shkollave.
Ministrja njoftoi gjithashtu se pret që kompanitë nga industria e IKT-së, së bashku me institucionet arsimore dhe shkencore, të përfshihen në formimin e parkut të parë shkencor-teknologjik në vend –vend ku shkenca dhe biznesi do të krijojnë inovacione dhe do të realizojnë projekte me interes kombëtar.
Në panel-diskutim, krahas ministres, morën pjesë edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK), Prof.Dr. Petre Lameski dhe dekani i Fakultetit për Teknologji Informatike dhe Komunikimit (FTIK), prof.dr. Bllagoj Ristevski. bsh/
Foto: MIA