• e hënë, 23 dhjetor 2024

Pakoja e re e masave antikrizë do të publikohet javën e ardhshme

Pakoja e re e masave antikrizë do të publikohet javën e ardhshme

Shkup, 7 nëntor 2023 (MIA) -  Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot kumtoi se pakoja e re e masave antikrizë mund të pritet në mesin ose në fund të javës së ardhshme.

"Pakoja e masave antikrizë u nda dje nga Ministria e Financave me Kabinetin e Kryeministrit, me ne dhe me institucione të tjera të përfshira në krijimin e saj. Ka gjasa që masat të shpallen dhe të fillojnë të zbatohen nga mesi ose në fund të javës së ardhshme, theksoi ministri Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në "Birrarinë" Shkup.

 

Më herët, kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili së bashku me Bekteshin vizitoi fabrikën, kujtoi se Qeveria ka marrë vendim për zgjerimin e listës së produkteve me “çmim të garantuar”, dhe se kjo masë duhet të jetë e vlefshme deri në fund të vitit, ndërsa jo deri në 30 nëntor siç ishte paralajmëruar fillimisht.

Nga 20 shtatori i këtij viti, me vendim të Qeverisë filloi të zbatohet masa e “çmimit të garantuar” për gjithsej 24 kategori të produkteve ushqimore. Çmimet e produkteve, sipas vendimit, duhet të jenë të paktën 10 për qind më të ulëta se çmimet e regjistruara më 1 gusht. Lista e produkteve me “çmim të garantuar” nga 27 shtatori është zgjeruar edhe me pijet: pijet pa alkool, uji i gazuar dhe pa gaz, si dhe birra. ls/ 

Foto: MIA dhe Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR