• e hënë, 23 dhjetor 2024

“Pa biçikletë”, botim i ri i Daut Dautit me udhëpërshkrime dhe reportazhe

“Pa biçikletë”, botim i ri i Daut Dautit me udhëpërshkrime dhe reportazhe

Shkup, 25 maj 2023 (MIA) - Poeti, shkrimtari dhe publicisti i njohur, Daut Dauti këto ditë ka nxjerrë nga shtypi librin më të ri të tij, “Pa biçikletë”.

Ky autor i sprovuar në prozë e poezi, ka botuar edhe vepra publicistike nga fusha e tij profesionale. Pikërisht kjo vepër i përket “branshës” së tij, dhe siç mund të kuptohet nga teksti hyrës i tij, përmban ato zhanre gazetareske që i afrohen krijimtarisë letrare.
Kështu, aty janë përmbledhur dhjetëra reportazhe, udhëpërshkrime e rrëfenja të tjera të shkruara nga periudha të ndryshme të karrierës profesionale të autorit, të cilat, siç është shprehur në rrjetet sociale, i kanë bërë ballë dhëmbit të kohës, por dhe janë ngjyra kohësh, njëkohësisht.

Në këtë kontekst, të këtij karakteri janë shkrimet nga vizita e pare në Shqipëri, në vitin 1990, para rënies së komunizmit, por dhe të tjera, nga rënia e komunizmit, në proceset e transformimit të madh shoqëror, por dhe nga hapësira të tjera gjeografike, si Ukrainë, Evropë dhe Amerikë.

Recensenti i librit, publicisti Nijazi Muhamedi veçon rëndësinë e reportazheve nga Shqipëria.

“Vlerësia historike e e reportazheve nga vizita e parë në Shqipërinë komuniste në vitin 1990, si referencë duhet parë nga këndvështrimi se autori i saj e ka pasur rastin dhe privilegjin që të kapë atë ndërmjetkohë me kërshërinë e pozitivizuar në mënyrë të prajshme. Ky është horizonti që hapet që në reportazhin e parë për Atdheun 'e lidhur' dhe 'të penguar' për të parë pjesët e tërësisë shqiptare jashtë tij jo vetëm për brezin e autorit, por edhe për etërit e atij brezi dhe të brezit të etërve tanë dhe për brezin e viteve tona”, shkruan Nijazi Muhamedi.

Shkuarja në Atdheun “e lidhur” dhe “të penguar”, sip thotë Muhamedi, ka ndodhur vetëm “me kalë në ëndërr” për breza fëmijësh, pra, edhe për vetë autorin e reportazheve dhe del fare e kuptueshme pse në fillim të ciklit të reportazheve...shtegtimi përtej ëndrrës, nis me një remineshencë autobiografike (ëndrra që kur të vijë ditë me i ra kryq e tërthor me biçikletë vendit amë të ndaluar), që faktikisht përbën edhe një sekuencë autobiografike të brezit të autorit dhe më parë prej brezit të tij...

“Kjo përmbledhje reportazhesh e skicash, janë ato pjesë e shkrimeve të cilat si autor më kthejnë prapë me pothuajse të njëjtin zell sikur kur i kam shkruar dhe meritojnë të përmblidhen në libër, që të mos humbin në kompletet e pluhurosura të gazetave, që lexuesi i rëndomtë vështirë se mund  të ketë interes ose vullnet për të pasur qasje”, shkruan autori në fillim të librit “Pa biçikletë”. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR